Bursat europiane e kanë nisur në rritje sesionin e parë të kësaj jave, por investitorët po monitorojnë zhvillimet që kanë të bëjnë me luftën në Ukrainë. Indeksi pan-Europian, Stoxx 600, po qëndron në rritje me rreth 0.6%, ndërsa fitimet më të mëdha i realizon sektori i automjeteve në rritje me 1.4%.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, deklaroi se vendi i tij është gati të diskutojë marrjen e statusit të vendit neutral, si pjesë e marrëveshjes së paqes me Rusinë. Ndërkohë, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, është përpjekur të qartësojë deklaratat e presidentit Joe Boden, i cili tha gjatë turit europian se presidenti rus, Vladimir Putin, nuk mund të qëndrojë në pushtet.
Në tregun e naftës, bençmarkët kryesorë kanë rënë ndjeshëm gjatë sesionit të sotëm, me brentin e Londrës që ka humbur mbi 3% të vlerës dhe tregtohet në rreth 116 dollarë për fuçi. Gjatë ditës së sotme nuk priten të dhëna ekonomike të rëndësishme, por të mërkurën do të publikohet inflacioni në Eurozonë./SCAN TV/