Vazhdon aksioni “Brezovica 3”, bastisen 7 lokacione- priten arrestime

Është duke vazhduar aksioni “Brezovica 3”, aktualisht janë duke u kontrolluar shtatë lokacione në rrethinë të Shtërpcës.

Lajmin për Express e ka konfirmuar prokurori i çështjes Rasim Maloku.

Ai tha se akoma s’ka të arrestuar, pasi aksioni është duke vazhduar.

Reklama e sponzorizuar

“Po aksioni është duke vazhduar, jemi në operacion. Nuk mundem me ju dhënë më tepër informacione. Pra është vazhdimësi e “Brezovica 3”. Janë duke u kontrollu 7 lokacione në rrethinë të Shtërpcës dhe lokacione nëpër fshatra…Ende s’ka të arrestuar”, tha Maloku për Express.

Ndryshe, ky është aksioni i tretë që po realizohet për këtë rast. Aksioni i parë ishte zhvilluar në fund të vitit të kaluar dhe kishte përfunduar me arrestimin e dhjetë personave. Në mesin e të arrestuarve ishte edhe ish- kryetari i Komunës së Shtërpcës, Bratisllav Nikolliq.

Ai dyshohej se ka përfituar deri në 1 milion euro për lejet e lëshuara kundërligjshëm për ndërtimin e objekteve në Brezovicë, në Komunën e Shtërpcës.

Aksion tjetër për këtë rast është zhvilluar edhe më 3 mars të këtij viti, ku janë arrestuar tetë persona.

Ata dyshohen për veprat penale “Ushtrimi i ndikimit”, “Dhënia e ryshfetit”, “Marrja e ryshfetit” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”.

Ndërsa, gjatë kontrollit në objektet e kontrolluara janë gjetur dhe konfiskuar: Dokumente të ndryshme,  disa fletore me shënime, Tri (3)armë,     Një (1) karikator me 5 fishek  të kalibrit 7.65mm, Tre (3) fishek të kalibrit 6.35mm, Njëzet (20) fishek të kalibrit 7.62mm,   Një (1) kompjuter,  Një (1) veturë X6, Pesë (5) telefona,  Një (1) orë dore.