Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar raportin me “Statistikat e Hotelerisë në Kosovë” për tremujorin e katërt (TM4) 2021, ku tregon për numrin e vizitorëve në hotelet në vend në tre muajt e fundit të vitit 2021.
Raporti tregon se në TM4 2021, numri i vizitorëve (vendorë dhe të huaj) ishte 109 mijë e 87, prej tyre 36.68 për qind ishin vizitorë vendorë dhe 63.32 për qind ishin vizitorë të jashtëm. Ndërkohë që, numri i net-qëndrimeve gjatë kësaj përiudhe ishte 137 mijë e 559, ku prej tyre 41.73 për qind nga vizitorët vendorë dhe 58.27 për qind nga vizitorët e huaj.
Krahas kësaj, numrin më të madh të vizitorëve dhe net-qëndrimeve të tyre sipas raportit e ka Rajoni i Prishtinës me 45 mijë e 700 vizitorë dhe 59 mijë e 318 net-qëndrime.
Siç theksohet në raport, numri më i madh i vizitorëve të huaj përqendrohet në Prishtinë, në Prizren dhe në Pejë, ndërkohë që numri më i madh i vizitorëve të huaj ishte nga Shqipëria, Gjermania, Zvicra dhe vendet e tjera të rajonit.
“Këtij publikimi i është bashkangjitur edhe një shtojcë e veçantë, që përmban të dhëna nga Policia e Kosovës, lidhur me numrin i vizitorëve të huaj sipas pikë-kalimeve kufitare gjatë vitit 2017 – 2021”, thuhet në raport.
Ndryshe, raporti tregon se në TM4 2021 pjesë e anketës ishin 206 hotele, që ushtrojnë veprimtari hoteliere në territorin e Kosovës./Buletini Ekonomik/