Miratohet Projektligji për rritjen e pagës minimale

Kabineti qeveritar i Kosovës

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme ka miratuar Projektligjin për Pagën Minimale.

Pas këtij votimi në kabinetin qeveritar dhe më pas në Kuvend, i hapet rruga edhe rritjes së pagës minimale në Kosovë, e cila deri më tani ka qenë vetëm 130 deri në 170 euro për disa kategori. Paga minimale në Kosovë nuk ka ndryshuar që nga viti 2011.

Sipas këtij Projektligji, tani e tutje paga minimale në Kosovë do të jetë 264 euro bruto, kurse neto do të jetë fiks 250.

Reklama e sponzorizuar

Kryeministri Albin Kurti, bëri gjithashtu me dije se me këtë ligj, pagat deri në shumën e 250 eurove do të lirohen nga pagesa e tatimit në pagë, përcjell Buletini Ekonomik.

Ai pati thënë më herët se nga rritja e pagës minimale pritet të përfitojnë mbi 100 mijë punëtorë në vend.

Hekuran Murati, Ministër i Financave, Punës dhe Transfereve në këtë mbledhje tha se miratimi i projektligjit për pagën minimale kontribuon edhe në rritjen ekonomike të vendit dhe produktivitetin e punëtorëve në vendet e punës.

Ndërkohë, me miratimin e këtij projektligji pritet të ndryshojnë edhe normat tatimore për pagat më të larta sesa 250 euro.

Pas miratimit të këtij projektligji në Qeveri, i njëjti duhet të miratohet edhe në Kuvendin e Kosovës.

Sipas rregullores së Kuvendit, shqyrtimi i parë i një projektligji nuk mund të bëhet pa kaluar dy javë pune por as më vonë se katër javë pune, nga dita e shpërndarjes së tij.

Pas kësaj, ligji u kthehet në shqyrtim komisioneve parlamentare, kurse më pastaj i dërgohen Kuvendit raportet me rekomandime për projektligjin në fjalë brenda dy muajve nga shqyrtimi i parë, ose pesë ditë pune para shqyrtimit të dytë në mbledhje plenare.

Ndryshe edhe Agjencia Evropiane e Statistikave më herët, pagën minimale në Kosovë e kishte cilësuar si pagën më të ulët në Evropë. /Buletini Ekonomik/