Tërheqja e 100 eurove- Hapet platforma për aplikim për punëtorët e sektorit privat

Administrata Tatimore e Kosovës

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka hapur sot platformën për aplikim për punëtorët e sektorit privat.

Tashmë në ueb faqen e ATK-së, ju mund të gjeni linkun për aplikim për përfitimin e 100 eurove.

Linku për aplikim është: https://apps.atk-ks.org/Subvencionim

Reklama e sponzorizuar

Si kusht për përfitimin e këtyre mjeteve është që secili punëtorë duhet të jetë i regjistruar nga punëdhënësi në ATK.

Ministria e Financave atë ditë që e prezantoi këtë Pako të Ringjalljes Ekonomike, tha se kusht për kualifikim për të marrë 100 eurot shtesë është që punëtori të jetë i deklaruar si i punësuar në periudhën tatimore shkurt 2022.

Ndërkaq për ata të deklaruar si punëtorë në mars, mund të aplikojnë mirëpo subvencionin do të mund ta përfitojnë vetëm pasi të jenë deklaruar edhe për periudhat tatimore prill dhe maj, që nënkupton se subvencionin do të mund ta marrin në fund të muajit qershor 2022.

Kujtojmë se tri ditë më parë, Qeveria e Kosovës mori vendim për t’i mbështetur me nga 100 euro si subvencione, të gjithë punëtorët si në sektorin publik, ashtu edhe në atë privat, të gjithë pensionistët, studentët dhe familjet nën asistencë sociale.

Pensionistët tashmë i kanë marrë këto shtesa me pensionin e këtij muaji, më datë 15 prill, ndërsa punëtorët e sektorit publik do t’i marrin shtesat automatikisht me pagat e muajit maj.

Ndërkohë, studentët dhe punëtorët e sektorit privat do t’iu duhet të aplikojnë për të përfituar.

Derisa sot është lansuar platforma për aplikim për sektorin privat nga ATK-ja, platforma për aplikim për studentët ende nuk është hapur.

Sipas paralajmërimeve, studentët do të aplikojnë përmes shërbimit elektronik në e-Kosova.

Gjithashtu, edhe familjet nën asistencë sociale do t’i marrin këto shtesa me pagesën e socialit këtë muaj.

Aplikimi për mbështetje nga kjo masë do të jetë i hapur nga data 21 prill deri më datë 20 maj 2022. /Buletini Ekonomik/