​AAK e bindur se pozita dhe opozita do të mbështesin tërheqjen e kursimeve nga Trusti

Besnik Tahiri dhe Shemsedin Dreshaj- deputetë nga AAK-ja

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së Besnik Tahiri është shprehur i bindur që tërheqja e një përqindjeje të caktuar nga Trusti do të kalojë në Kuvendin e Kosovës.

Në një konferencë për media, deputeti Tahiri theksoi se po e presin datën 21 prill, ditë kjo kur Qeveria e Kosovës duhet t’i jep një përgjigje Kuvendit të Kosovës lidhur me tërheqjen e kursimeve pensionale.

“Kam pasur një diskutim dje me disa deputetë, edhe me deputetin Haxhiu. Ne duhet të presim datën 21 prill kur Qeveria duhet të jep një përgjigje me këtë temë. Jemi të bindur se janë pjekur kushtet për tërheqjen e fondeve të Trustit. Mendojmë se jemi në gjendje të jashtëzakonshme dhe sjellja e zakonshme e Qeverisë është gabim. Kështu që ne e mbështesim dhe jam i bindur se do të kalojë në seancë për shkak se deputetët edhe të pozitës dhe të opozitës do ta votojnë… Ne do të bisedojmë edhe me shumicën. Do të dakordohemi si opozitë që të jemi të gjithë dhe njëkohësisht do të bisedojmë me të gjitha grupet parlamentare që të kalojë. Tërheqja e Trustit duhet të ndodhë dhe në Kuvend jam i bindur që do të kalojë”, tha ai.

Reklama e sponzorizuar

Pas përfundimit të diskutimit në tryezën me temën “Sigurimet shëndetësore dhe skemat sociale në Kosovë”, të organizuar nga Grupi Parlamentar i AAK-së, deputeti nga AAK-ja Shemsedin Dreshaj ka kërkuar nga Qeveria që ta sjellë në Kuvend Projektligjin për plotësim-ndryshimin e Ligjit për sigurimet shëndetësore.

“Ligji (projektligji me ndryshime) i sigurimeve shëndetësore duhet të nisë menjëherë të sillet në Kuvend për miratim. Sigurimet shoqërore janë pjesë e agjendës sonë, por janë pjesë komplementare e Ligjit për sigurime shëndetësore. Pakoja bazike e shërbimeve shëndetësore e cila është iniciuar që nga viti 2001 në Ministrinë e Shëndetësisë dhe ende nuk është përmbyllur, duhet urgjentisht që të përmbyllet për arsye që kostoja buxhetore e Ligjit për sigurime shëndetësore të jetë adekuate”, theksoi ai.