Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka njoftuar të gjithë tatimpaguesit se është zgjatur afati për deklarimin dhe pagesën e Tatimit në të Ardhura Personale për periudhën tatimore 2021.
Në një njoftim të ATK-së në facebook, thuhet se ky afat për periudhën tatimore 2021, është zgjatur deri më 31 Maj 2022.
Sipas tyre, deklarimet dhe pagesat e bëra për Tatim në të Ardhura Personale deri në afatin e zgjatur, gjegjësisht 31 Maj 2022, nuk do t’i nënshtrohen ndëshkimeve të përcaktuara në legjislacionin tatimor në fuqi.
Gjithashtu ata bëjnë të ditur se për llojet tjera të tatimeve dhe kontributeve, përveç Tatimit në të Ardhura Personale, afati për deklarim dhe pagesë mbetet ashtu siç është i përcaktuar me legjislacionin në fuqi.
Andaj, ATK inkurajon të gjithë tatimpaguesit, të vazhdojnë me përmbushjen vullnetare të detyrimeve tatimore të përcaktuara me legjislacionin në fuqi.
“ATK mban premtimin për kujdesin e vazhdueshëm ndaj tatimpaguesve”, përfundon njoftimi i tyre./Buletini Ekonomik/









