Shtëpitë automobilistike europiane duhet të heqin dorë nga karburantet fosile deri në vitin 2040, tha të premten drejtuesi ekzekutiv i Volkswagen Audi (VOWG_p.DE), duke bërë thirrje për zgjerim më të shpejtë të kapacitetit të energjisë së rinovueshme në Bavari, ku Audi ka selinë, dhe në vende të tjera.
Diskutimet rreth një embargoje të mundshme mbi gazin rus në dritën e pushtimit të Ukrainës nga Moska kanë rritur presionin te kompanitë dhe qeveritë, për të zgjeruar investimet në energjitë e rinovueshme, me Mercedes-Benz (MBGn.DE) që premton investime të reja në energjinë e erës dhe atë diellore për të ndihmuar termocentralet e saj.
“Le të bëhemi të guximshëm si europianë dhe të marrim përgjegjësitë për të hequr dorë tërësisht nga karburantet fosile deri në vitin 2040, – tha Markus Duessmann në një konferencë. – Ne duhet t’i përqendrojmë gjithë energjitë tek automjetet elektrike me bateri për lëvizjen individuale”.
Audi do të ndalojë shitjen e automjeteve me motorë me djegie në vitin 2033. Shtëpia e tij mëmë, Volkswagen, do ta bëjë këtë në vitin 2035 në Europë dhe më vonë në Kinë dhe Shtetet e Bashkuara, ka thënë ai.
Megjithatë, shtëpi të tjera automobilistike si BMW kanë paralajmëruar që të mos fokusohen ekskluzivisht në prodhimin e automjeteve elektrike shumë shpejt, ku kërkesa për motorë me djegie është ende e lartë.
Qeveria e koalicionit të Gjermanisë ka thënë se synon të ndalë qymyrin deri në vitin 2030 dhe të përmbushë të gjitha nevojat për energji elektrike, me furnizime nga burime të rinovueshme deri në vitin 2035.
/ Reuters