Sekretarja e Thesarit e SHBA-së, Janet Yellen dhe një këshilltar i lartë i Shtëpisë së Bardhë kërkuan reforma të mëdha në Bankën Botërore, duke thënë se institucioni që operon prej shtatë dekadash nuk ishte ngritur për të trajtuar krizat e shumta globale.
Yellen tha se, si Banka Botërore, ashtu edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, nuk ishin krijuar për të trajtuar krizat e shumta globale me të cilat përballen tani, duke përfshirë pasojat nga lufta e Rusisë në Ukrainë dhe pandemia COVID-19, dhe dy institucioneve u mungojnë burimet për të trajtuar ndryshimet klimatike.
Sipas Yellen, FMN që ka rreth 1 trilion dollarë në totalin e burimeve të huadhënies, kishte për qëllim të ndihmonte vendet për t’u përballur me kriza të izoluara, ndërsa Banka Botërore u krijua për të financuar projektet e zhvillimit në vendet që nuk kishin akses në tregjet e kapitalit.
“Ne përballemi me sfida që tani do të kërkojnë investime në një shkallë që një institucion ndërkombëtar nuk mund ta menaxhojë vetë, si ndryshimi i klimës. Investimet për këtë qëllim do të arrijnë në disa trilionë dollarë”, deklaroi Yellen.
Ajo shtoi se, se nuk mund të thotë se çfarë reformash nevojiten për të rritur institucionet, por shtoi se ato duhet të jenë në gjendje të shfrytëzojnë grupe të mëdha kapitali privat. Huadhënia e Bankës Botërore arriti në 99 miliardë dollarë në vitin fiskal 2021.
Institucionet gjithashtu duhet të jenë më të afta për të ofruar “të mira publike” të tilla si përmirësimi i infrastrukturës së shëndetit publik për të trajtuar pandemitë e ardhshme, të cilat mund të kërkojnë ndryshime në mandatin e Bankës Botërore./Scan-tv/