Silicon Valley është një nga rajonet më të paqëndrueshme në botë. Nuk po flasim për fenomene natyrore, por për lëvizje të vazhdueshme të shkaktuara nga blerjet, motori i vërtetë në botën e teknologjisë
Musk dëshiron të blejë Twitter – 41.39 mld $
Silicon Valley është një nga rajonet më të paqëndrueshme në botë. Nuk po flasim për fenomene natyrore, por për lëvizje të vazhdueshme të shkaktuara nga blerjet, motori i vërtetë në botën e teknologjisë.
Oferta e fundit ka si protagonist, Elon Musk, njeriu më i pasur në botë sipas klasifikimit të Forbes. Themeluesi dhe CEO i Tesla-s – si dhe një nga figurat më eklektike të Silicon Valley, pasi u bë aksioneri kryesor i Twitter, ka vendosur ta blejë atë. Oferta është 54.20 dollarë për aksion, për një total prej 41.39 mld $.
2022, Microsoft blen Activision Blizzard – 68.7 mld $
Blerja më e madhe (dhe e kushtueshme) në historinë e Microsoft shënon edhe një shifër rekord në botën e teknologjisë. Në janar të vitit 2022, shoqëria e themeluar nga Bill Gates bleu Activision Blizzard për 68.7 mld $.
Nëse emri i kësaj shoqërie nuk është i dëgjuar për ju, me siguri njihni disa nga videolojërat e krijuara nga zhvilluesit e saj – nga Call of Duty te Candy Crush, nga Crash Bandicoot te Guitar Hero, e deri te World of Warcraft dhe Heartstone.
2022, Sony përgjigjet duke blerë Bungie – 3.6 mld $
Historia e rivalit të Microsoft në botën e videolojërave është Sony – e para ka në pronësi markën Xbox; e dyta, PlayStation. Vetëm një muaj pas blerjes së Activision Blizzard, vjen përgjigjja e Sony, që bleu zhvilluesin Bungie, e cila e ka bërë të famshëm Xbox me tituj si Saga e Halo. Kjo ishte një “shuplakë e vërtetë” me vlerë 3.6 mld $.
2020, Salesforce blen Slack – 27.7 mld $
Në fund të vitit 2020, në mesin e pandemisë, Salesforce, gjiganti kalifornian i software, bleu për 27.7 mld $, Slack, shoqëri për dërgimin e mesazheve mes punonjësve. E themeluar në vitin 2013, Slack deklaroi më shumë se 12 milionë përdorues në ditë në vitin 2019. Kjo është blerja më e rëndësishme e Salesforce në historinë e saj, që prej vitit 1999.
2018, IBM blen Red Hat – 34 mld $
Në vitin 2018, IBM vendos të blejë pionierin e software open-source Red Hat për 34 mld $. Kjo është blerja më e madhe në historinë e IBM. Qëllimi është të përshpejtohet kalimi në cloud computing për klientët e mëdhenj, si dhe nxitja e rritjes së të ardhurave të IBM.
2017, Google blen divizionin e smartphone të HTC – 1.1 mld $
Smartphone dhe realitet virtual – pikat e forta të HTC po tundojnë Google, i cili po investon gjithnjë e më shumë në pajisjet mobile dhe vendos të zgjerojë gamën e veprimit. Mountain View do të blejë në 2017-n pjesën më të madhe të divizionit që prodhon telefona, të kompanisë tajvaneze, për 1.1 mld $. Marrëveshja ka të bëjë me licencat e pronësisë intelektuale dhe blerja përfundon në fillim të 2018-s, pas miratimit nga autoritetet mbikëqyrëse.
2011, Google dhe blerja e Motorola, një gjysmë dështim – 12.5 mld $
Ajo që Google arriti me HTC duket të jetë një marrëveshje e mirë kur krahasohet me blerjen e mëparshme në sektorin “mobile”. Në vitin 2011, Google shpenzoi 12.5 mld $ për të blerë Motorola, një shifër shumë më e lartë se ajo e shpenzuar për divizionin e kompanisë tajvaneze.
Pionieri i atëhershëm në këtë sektor nuk u tregua një burim i kënaqshëm të ardhurash për Big G. Tre vite më vonë, në 2014, ai ia shiti Lenovo-s për 2.9 mld $.
2006, Google blen YouTube – 1.6 mld $
Në vitin 2006, kolosi i kërkimeve online bleu YouTube, një startup i ri, i lindur vetëm një vit më parë, i cili nuk kishte realizuar fitime. Çmimi prej 1.6 mld $ dukej i pakuptimtë për kronistët e kohës, por rezultoi një lëvizje gjeniale.
2005 – Google blen Android – 50 mln $
Është viti 2005, kur Google bleu Android, sistemi operativ mobile, për 50 mln $.
2014, Google dhe automatizimi i shtëpisë, blen Nest – 3.2 mld $
2014 është koha e automatizimit të shtëpisë dhe Google blen Nest, një prodhues i sistemeve të lidhura për shtëpinë, për 3.2 mld $.
2014, Facebook blen WhatsApp – 19 mld $
Për të rritur dominimin në komunikim, Facebook bleu në 2014-n, WhatsApp, për 19 mld $.
2012, Facebook, mbreti i blerjeve me Instagram – 1 mld $
Por më parë, Facebook pati vënë në shënjestër një tjetër rrjet social. Në 2012, Zuckerberg bleu Instagram për 1 mld $.
2014, lëvizja e madhe e Facebook, blen Oculus – 2 mld $
Realiteti virtual i pëlqen Zuckerberg, i cili në 2014 vendos të blejë për 2 mld $, Oculus.
Blerjet e Apple
Apple e ka ndërtuar pavarësinë në botën e teknologjisë nëpërmjet blerjeve. Në vitin 2008, ai bleu P.A. Semi, e cila sot prodhon procesorët e saj; në 2010-n, asistentin zanor Siri, dhe në 2015-n, Linx, e cila prodhon kamera.
2014, Apple blen Beats – 3 mld $
Në 2014-n, në kërkimin e vazhdueshëm për pavarësi, Apple bleu Beats, një prodhues pajisjesh audio, i cili zotëron një platformë transmetimi në internet, për 3 mld $.
2011, Microsoft blen Skype, 8.5 mld $
Në vitin 2011, një tjetër blerje bën bujë. Microsoft bleu Skype për 8.5 mld $.
2016, blerja e madhe e LinkedIn nga Microsoft – 26.2 mld $
Në 2016-n, Microsoft fokusohet te rrjetet sociale dhe blen LinkedIn, rrjeti social kushtuar profesionistëve. Çmimi është i lartë, 26.2 mld $.
/ Corriere della Sera