Bordi i ndërmarrjes ‘Ferronikeli’ kërkon subvencionim nga shteti

Bordi i Ferronikelit duke raportuar para Komisionit për Ekonomi

Gjendja e rëndë në ndërmarrjen “Ferronikeli” pas krizës energjetike dhe mos subvencionimi nga shteti, do ta detyrojë menaxhmentin e kësaj kompanie që më shumë se 1 mijë punëtorë t’i lë pa punë.

Kështu u tha në Komisionin për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti sot, ku raportuan drejtuesit e kësaj kompanie.

Menaxhmenti i “Ferronikelit” po kërkon që të marrin 30 deri 40 për qind të gjenerimit të energjisë njësoj si bizneset e tjera pa tarifa.

Reklama e sponzorizuar

Genci Beribashi drejtor i “NewCo Feronikeli” tha se që nga viti 2018, në këtë kompani janë investuar mbi 50 milionë euro. Ai shtoi se kjo lidhet me shtimin e numrit të punëtorëve.

“Ne jemi të ndaluar që nga data 8 tetor 2021. Çdo kompanie tjetër në Kosovë i është subvencionuar tarifa e energjisë elektrike. Ne nuk marrim asnjë kilovat energji nga subvencionimet vendore. Kosova ka kapacitete të prodhimit të energjisë”, tha ai.

Sipas tij, Ferronikeli i ka të gjitha lejet e nevojshme të parashikuara me ligj për të kryer aktivitetin mineral. Ai shtoi se prodhimi i “Ferronikelit” bazohet në 80 për qind të lëndës së parë të prodhimit.

“Pse Kosova një vend kaq i vogël të ketë dyfish taksa në krahasim me vendet e Evropës, dhe trefish me atë të Shqipërisë. Kjo është pyetja që e kemi bërë vazhdimisht. Ne kemi propozuar te marrim 30 deri 40 për qind të gjenerimit të energjisë njësoj si bizneset e tjera pa tarifa”, tha tutje ai.

Ndërsa, kryetari i Bordit të kompanisë “New Co Feronikeli”, Steven Grunerud, tha se kanë kërkuar subvencionim por që deri tash kjo nuk ka ndodhur.

Ai tha 550 punëtorë direkt dhe 1000 indirekt synojnë që t’i kthejnë në punë.

“I kemi kërkuar ministrisë dhe ZRrE-së subvencionim. Dhe pas gjashtë muajsh ende nuk kemi marr përgjigje”, u shpreh ai.

E kryetari i këtij Komisioni, Ferat Shala pyeti nëse mund të bëhet një investim në një park energjetik për nevojat e “Ferronikelit” dhe të pushtetit lokal.

Kurse, Grunerud tha se “Ferronikeli” po kërkon një energji stabile ndërsa forma e energjisë me erë dhe me diell nuk janë forma stabile dhe se duhen investime shumë të mëdha ndonëse nuk janë të sigurta.

“Si grup po shikojmë për investime të gjenerushme mirëpo nuk është një përgjigje afatshkurtre”, tha ai.

Deputetja e VV-së, Mimoza Kusari-Lila kërkoi të dijë për shumën që ka përfituar kjo kompani nga shteti nga ligji për Rimëkëmbje dhe se sa ka qenë qarkullimi vjetor nga viti 2018 deri 2020.

Duke iu përgjigjur deputetes së VV-së, Genci Beribashi, tha se shuma që ka përfituar kjo kompani nga shteti është 180 euro për secilin punonjës.

Ai kritikoi mënyrën e subvencionimit të kompanive, duke thënë se të njëjtën e kanë marrë edhe ato biznese që nuk e kanë ndalë operimin.

“ Ka qenë një pako që ka qenë 180 euro për punonjësit. E njëjta ju subvencionua çdo lloj biznesi. Edhe ato biznese që nuk kanë pasur asnjë moment ndalesë të operimit iu është paguar e njëjta”, tha ai.

Sipas tij, që nga momenti i privatizimit të ndërmarrjes, 100 për qind të punonjësve janë të deklaruar.