Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) ka njoftuar se ka pranuar një Aktvendim të lëshuar nga Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme të Kosovës (DHPGJSK), përmes së cilit lejohet përmbyllja e procesit të likuidimit për KB “Bujku” me seli në Skenderaj.
AKP-ja kishte parashtruar kërkesë në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës për aprovimin e këtij raporti përfundimtar dhe lejimin e mbylljes së kësaj Koperative Bujqësore.
Pas kësaj kërkese, Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme ka aprovuar këtë Raport Përfundimtar dhe ka dhënë leje për mbylljen e procesit të likuidimit për KB-në e lartpërmendur.
Si rrjedhojë, nga AKP-ja njoftojnë se pas Aktvendimit të fundit të DHPGJSK-së, numri i ndërmarrjeve shoqërore për të cilat deri më tani është përmbyllur procesi i likuidimit në tërësi, ka arritur në 38 NSH/KB/Asete.
Gjithashtu, kjo Gjykatë ka caktuar edhe një afat prej 21 ditësh nga dita e pranimit të këtij vendimi, për ndonjë ankesë eventuale.
Kurse pas kalimit të këtij afati, ky aktvendim bëhet i plotfuqishëm dhe njoftimet për përmbyllje të likuidimit për këtë subjekt, AKP-ja do t’ua dërgojë institucioneve relevante. /Buletini Ekonomik/