Pikërisht shtrenjtimi i energjisë elektrike ka bërë që kompani si Ferronikeli, të kenë probleme të mëdha në prodhim.
Në fakt, tarifat e larta të rrymës ndaj kësaj kompanie, kanë bërë që ajo ta ndalë prodhimin.
Kjo ka shkaktuar përkeqësimin e situatës ekonomike të 800 punëtorëve.
Për më tepër, më 1 prill, kompania ua shkëputi kontratat e punës edhe 193 të tjerëve.
Ka mbi dhjetë vjet që Ferronikeli është privatizuar dhe ka filluar të punojë, por shpesh puna e kompanie është ndërprerë për arsye të ndryshme duke bërë që punëtorët të kenë telashe.
Naser Gashi, punëtor në kompaninë Ferronikeli, lajmërohet çdo ditë në vendin e punës, por punë nuk bën.
Kjo sepse kompania ka ndërprerë prodhimin për shkak të çmimit të lartë energjisë elektrike.
Ka muaj që Naseri dhe punëtorët e tjerë, paguhen me gjysmë page. E situata ua ka rënduar gjendjen ekonomike.
“Momentalisht derisa nuk kemi kurrfarë informate as nga qeveria as nga menaxhmenti , jemi në një rrugë pa krye, jemi në mjegull, nuk di kush çka thotë e çka bën, kur thotë se nuk ka punë dhe po e mbyllim, këqyrim dikah tjetër, po na mban në një forme si peng as me punë as pa punë, as me zgidhje e as me zgjidhje. Në këtë rast, as protestat e organizuara nga Sindikata e Punëtorëve të Ferronikelit, nuk ka kryer punë. Situata ka mbetur në gjendjen e 8 tetorit 2021, ku mbi 800 punëtorë paguhen me gjysmën e pagës, e 193 të tjerë, nga 1 prilli kompania ua shkëputi kontratat”, ka thënë Naser Gashi, punëtor i Ferronikelit.
“Premtimet nga qeveria kanë qenë se do të ndërmarrin se çka i lejon ligji, ne po ashtu kemi pasur kontakte edhe me grupet parlamentare, me ZRRE-në , kemi marrë premtime, por, asnjë veprim nuk është ndërmarrë as nga qeveria e as nga ndonjë institucion tjetër”, ka thënë Fehmi Nika, kryetar i Sindikatës së Punëtorëve të Ferronikelit.
“Gjendja e punëtorëve nuk është e mirë, sepse janë në pozitë jo të mirë materiale, sepse janë me një pagë minimale 200 euro në muaj e rroga mesatare është 450-460 euro… e me 230 euro i marrim në muaj, gjendja nuk është e mirë. Ka mbi dhjetë vjet që Ferronikeli është privatizuar dhe ka filluar të punojë, por shpesh puna e kompanie është ndërprerë për arsye të ndryshme duke bërë që punëtorët të kenë telashe”, thotë Fehmi Nika, kryetar i Sindikatës së Punëtorëve të Ferronikelit.