Kurti: Të punësuarit me rrogë deri në 250 euro nuk do të paguajnë tatim në pagë

Euro

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se në mbledhjen e ardhshme të Qeverisë do të miratohet Projektligji që i hap rrugë rritjes së pagës minimale.

Kurti gjatë prezantimit të masave të reja të Pakos së Ringjalljes Ekonomike, ka thënë se paga minimale do të rritet në 264 euro bruto apo 250 euro neto dhe se pagat deri në këtë shumë do të lirohen nga tatimi.

“Nesër në mbledhjen e Qeverisë do të miratojmë Projektligjin që i hap rrugën rritjes së pagës minimale në 264 euro bruto apo 250 euro neto dhe heqjen e tatimit për 250 euro pagë. Pra, edhe do ta rrisim pagën minimale edhe do ta lirojmë nga tatimi”, tha Kurti.

Reklama e sponzorizuar

Ndryshe, Buletini Ekonomik dje ka shkruar se Qeveria e Kosovës po planifikon ndryshimin e Politikave Tatimore.

Në Koncept-dokumentin e përgatitur nga Ministria e Financave, të cilin e ka siguruar Buletini Ekonomik janë propozuar dy variante për normat e tatimit në pagë.

Opsioni në përputhje me programin e Qeverisë parasheh rritje në përqindje të normave në krahasim me ato aktuale – por edhe ngritje të pragut të pagës që nuk preket nga tatimi.

Më poshtë janë dy opsionet e propozuara nga Qeveria e Kosovës në Koncept Dokumentin për Rishikimin e Politikave Tatimore.

Opsioni 1: – Të ardhurat e tatueshme deri në vlerën e 150 euro në muaj (1800€ në vit), të tatohen me normë prej 0%;

– Të ardhurat e tatueshme nga 150 euro në muaj (1800€ në vit) deri në 250 euro në muaj (3000€ në vit) të tatohen me normë prej 4% të shumës mbi 150 euro (1800€);

– Të ardhurat e tatueshme nga 250 euro në muaj (3000€ në vit) deri në 450 euro në muaj (5400€ në vit) të tatohen me normë prej 10% të shumës mbi 250 euro (3000€);

– Të ardhurat e tatueshme nga 450 euro në muaj (5400€ në vit) deri në 650 euro në muaj (7800€ në vit) të tatohen me normë prej 12% të shumës mbi 450 euro (5400€);

– Të ardhurat e tatueshme mbi 650 euro në muaj (7800€ në vit) të tatohen me 15% të shumes mbi 650 euro (7800€).

Opsioni 2: Duke pas për bazë programin e Qeverisë dhe reformave të përfshira në program, ky opsion e merr për bazë ngritjen e pragut të pagës minimale në 250 euro.

Fillimisht, ky opsion përfshin këto norma tatimore:

– Të ardhurat e tatueshme deri në vlerën e pagës 250 euro në muaj (3000€ në vit) të tatohen me normë prej 0%;

– Të ardhurat e tatueshme nga 250 euro në muaj (3000€ në vit) deri në 450 euro në muaj (5400€ në vit) të tatohen me normë prej 10% të shumës mbi 250 euro në muaj;

– Të ardhurat e tatueshme nga 450 euro në muaj (5400€ në vit) deri në 650 euro në muaj (7800€ në vit) të tatohen me normë prej 12% të shumës mbi 450 euro në muaj;

– Të ardhurat e tatueshme mbi 650 euro në muaj (7800€ në vit) të tatohen me normë prej 15% të shumës mbi 650 euro në muaj;

“Në aspektin e të hyrave, opsioni i dytë është pozitiv. Kjo politikë do të rezultonte me rritje të të hyrave për rreth 3.2%, adresim të mungesës së progresivitetit, dhe kontribuim më të barabartë, bazuar në kapacitetet kontributdhënëse”, thuhet në këtë dokument. /Buletini Ekonomik/