Lufta dhe stagflacioni po kërcënojnë ekonominë globale

Fotografi ilustruese

Rreziku i dyfishtë i ngadalësimit të rritjes ekonomike dhe i inflacionit të lartë, ose stagflacionit, do të dëmtojnë ekonominë globale gjatë këtij viti, ndërsa lufta e Rusisë kundër Ukrainës po përkeqëson ngadalësimin e rimëkëmbjes nga pandemia e koronavirusit, sipas studimit të Financial Times.

FMN pritet të ulë parashikimet e saj, në një kohë kur presionet ndaj çmimeve janë në rritje ndërsa besimi i investitorëve po bie.

Rritja e presioneve ndaj çmimeve, reduktimi i zgjerimit të prodhimit dhe rënia e besimit të investitorëve do të sjellin një situatë të vështirë për shumicën e vendeve, sipas indeksit të fundit të Brookings-FT.

Reklama e sponzorizuar

Si rezultat i kësaj panorame, politikëbërësit do të duhet të përballen me disa “problematika të zymta”, tha Eswar Prasad, anëtar i Institutit Brookings.

Këtë javë, FMN-ja pritet që të ulë parashikimet e saj për rritjen ekonomike të shumicës së vendeve, pasi ministrat e financave dhe drejtuesit e bankave qendrore të mblidhen në takimet e pranverës të FMN dhe të Bankës Botërore për të diskutuar në lidhje me mënyrat se si do t’i përgjigjen perspektivës së errët ekonomike.

Politikëbërësit duhet të vendosin se si do të trajtojnë rritjen e shpejtë të çmimeve dhe rreziqet e rritjes së normave të interesit, në rrethanat kur edhe aktualisht nivelet e borxhit janë të larta.

Të enjten, Kristalina Georgieva, drejtoreshë në FMN, e quajti luftën në Ukrainë një “pengesë masive” për ekonominë globale.

Prasad tha se ekziston rreziku që viti 2022 të kthehet në “një periudhë plot me riorganizime gjeopolitike, ndërprerje të vazhdueshme të ofertës dhe paqëndrueshmëri të tregut financiar, të gjitha këto në rrethanat e rritjes së presioneve inflacioniste dhe të kufizimit të hapësirës për manovra politike”.

Indeksi Brookings-FT për Rimëkëmbjen Ekonomike Globale krahason treguesit e aktivitetit real, të tregjeve financiare dhe të besimit të investitorëve me mesataret e tyre historike, si për ekonominë globale, ashtu edhe për vendet e veҫanta, duke kapur përmasat në të cilat të dhënat e periudhës aktuale janë më të mira ose më të këqija se mesatarja normale.

Indeksi i përbërë tregon një rënie të theksuar të vrullit të rritjes ekonomike që nga fundi i vitit 2021 në ekonomitë e përparuara dhe ato në zhvillim. Edhe nivelet e besimit kanë rënë ndjeshëm dhe performanca e tregut financiar është përkeqësuar kohët e fundit.

Secili nga tre blloqet e mëdha ekonomike të botës po përballet me vështirësi të konsiderueshme, tha Prasad. Megjithëse shpenzimet mbeten të larta në SHBA dhe tregu i punës është rikthyer në kushtet ku ndodhej përpara fillimit të pandemisë, inflacioni paraqet vështirësi të mëdha për Rezervën Federale në aspektin e ruajtjes së stabilitetit të çmimeve. Në muajin mars, ritmi i rritjes së çmimeve u rrit me nivelin më të lartë të 40 viteve, prej plot 8.5 për qind.

“Fed ndodhet në një rrezik real për të humbur kontrollin e narrativës së inflacionit dhe mund të detyrohet të marrë masa edhe më shtrënguese nga ato që ka sinjalizuar, duke shtuar rrezikun e një ngadalësimi të dukshëm të rritjes ekonomike për vitin 2023”, tha Prasad.

Nga ana tjetër, problemet e Kinës burojnë nga dëshira e saj për të vazhduar me strategjinë “zero-Covid”, pas një rritjeje të rasteve të shkaktuar nga varianti më infektiv i koronavirusit, Omicron. Izolimet, të tilla si kufizimet e rënda në Shangai, kërcënojnë shpenzimet e konsumatorëve, investimet dhe prodhimin, ndërsa mundësia për të lehtësuar sërish politikën monetare do të shtonte rreziqet afatgjata për stabilitetin financiar.

Kina do të raportojë të hënën shifrat e prodhimit të brendshëm bruto për tremujorin e parë dhe ato pritet të tregojnë se Pekinit do t’i duhet të përballet me një sfidë të vështirë për të përmbushur objektivin e rritjes ekonomike prej 5.5 për qind përgjatë këtij viti.

Për sa i përket Europës, rajoni më i ekspozuar ndaj konfliktit në Ukrainë, i cili po përpiqet për të reduktuar varësinë nga importet e energjisë ruse, nivelet e besimit kanë rënë ndjeshëm.

Prasad tha se nuk kishte zgjidhje të lehta politike për këtë situatë, si dhe vihej re një mungesë e gatishmërisë për të vepruar.

“Mbajtja e ekonomisë globale në një ritëm të arsyeshëm të rritjes ekonomike do të kërkojë veprime të bashkërenduara për të rregulluar problematikat thelbësore, duke përfshirë masa për të kufizuar ndërprerjet e shkaktuara nga pandemia, hapa për të reduktuar tensionet gjeopolitike, si dhe masa të synuara, të tilla si shpenzimet në infrastrukturë, për të rritur produktivitetin afatgjatë, në vend të forcimit të kërkesës afatshkurtër,” tha ai. /Monitor.al/