Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, ka thënë se vitin e kaluar shkëmbimi i mallrave ndërmjet të dy vendeve ka arritur shifrën e 400 milionë euro.
Ai ka sqaruar se kjo shifër ka shënuar rritjet të konsiderueshme, krahasuar me vitin 2016 kur ishin vetëm 160 milionë euro mallra të shkëmbyera.
“Ne duhet të kemi parasysh se sa i përket ekonomisë kemi shifra në rritje. Midis Shqipërisë dhe Kosovës tashmë shkëmbehen mbi 400 milionë euro mallra. Është një shifër që na jep dëshirën për të kapërcyer disa vështirësi që ekzistojnë. Krahasuar me vitin 2016 kemi afërsisht trefish më tepër. Nga 160 milionë në 430 milionë gjatë vitit që e lamë pas”, ka thënë ai.
Kur foli për iniciativën “Open Ballkan”, Minxhozi tha se është i nevojshëm bashkëpunimi rajonal sidomos pas luftës në Ukrainë, ngase sipas tij, tani është krijuar një situatë e re në Ballkanin Perëndimor.
“Kemi iniciativa të tjera përpara, në kuptimin e kësaj ne duhet të bashkëpunojmë shumë me njëri-tjetrin për sa i përket situatës së re të krijuar. Ne duhet të jemi koshient që një situatë e re e krijuar në Ukrainë patjetër ka bërë që një situatë e re të krijohet në Ballkanin Perëndimor, prandaj është shumë me rëndësi të rrisim shkallën e bashkëpunimit sepse në çdo situatë të re duhet të përdorim edhe resurse të reja”.
Tutje Minxhozi ka shtuar se Shqipëria është nxitëse në dialogun Kosovë-Serbi dhe është këmbëngulëse që ky proces t’i shërbejë paqes në rajon.
“Ne nxisim që dialogu Kosovë-Serbi të bëhet sa më parë. Është shumë e rëndësishme që palët duhet të dakordohen në vija të përgjithshme se ku duhet të arrijnë. Është një proces i gjatë, nuk është një proces i lehtë, por ajo që Shqipëria këmbëngul është që ky proces duhet të fillojë. Dhe ky presion duhet të jetë jo vetëm mbi Kosovën, por edhe mbi Serbinë në mënyrë që të na japin një produkt që do i shërbejë paqes dhe stabilitetit në rajon”. /EO