Çmimet enorme të ngritura jashtë çdo parashikimi dhe tej mase të shtrenjta për bujqit kosovarë, do të ndikojnë domosdo në rrjedhën e mbjelljeve pranverore, në përbushjen e planit të sipërfaqeve të planifikuara për të mbjellat me kultura pranverore, por edhe në përmbushjen e standardeve për plehërimin e tokës së mbjellur dhe për të mbjellë këto ara me farëra cilësore.
Blendrita Avdiu
Ky vit, mbështetur në rrethanat dhe zhvillimet aktuale të kushtëzuara nga ngritja enorme e çmimeve të materialit riprodhues (të plehrave minerale, farërave dhe karburanteve), do të jetë padyshim ndër më sfiduesit për fermerët dhe bujqësinë kosovare në përgjithësi.
Çmimet enorme të ngritura jashtë çdo parashikimi dhe tej mase të shtrenjta për bujqit kosovarë, do të ndikojnë, deshëm apo nuk deshëm ne, në rrjedhën e mbjelljeve pranverore, në përbushjen e planit të sipërfaqeve të planifikuara për të mbjellat me kultura pranverore, por edhe në përmbushjen e standardeve për plehërimin e tokës së mbjellur me plehra minerale dhe për të mbjellë këto ara me farëra cilësore.
Jo në pak raste, bujqit kosovarë janë sfiduar në prag të mbjelljeve, qoftë vjeshtore, apo pranverore. Ka ndodhur që të mbajë dhe të ketë thatësi të madhe dhe vërshime me dëme evidente, dhe megjithatë, këto vështirësi janë tejkaluar qoftë me angazhim të madh, qoftë me sakrifica të fermerëve dhe me fare pak dështime, fushatat e mbjelljeve kanë përfunduar. Ndërsa, sivjet parashikimet, planifikimet dhe synimet e bujqëve, i diktojnë çmimet enorme.
Prandaj, që tani, ende pa filluar fushata intensive e mbjelljeve pranverore, ndër ekspertë mbretëron droja se në mbjelljet e sivjetshme pranverore do të dështojnë planet, parashikimet dhe synimet e agrarit kosovar për të arritur objektivat, pikë së pari në mbjelljen e të gjitha sipërfaqeve të planifikuara dhe pastaj edhe në lënien e kushtëzuar pasdore të përmbushjes së standardeve me plehërim dhe me mbjellje të farërave të sugjeruara dhe të preferuara nga agronomët tanë.
Mbjelljet e sivjetshme pranverore, për shkak të këtyre çmimeve stratosferike, domosdo do të jenë ndër më të kushtueshmet në historinë e bujqësisë kosovare dhe fermerët do të harxhojnë shumë më shumë para nga xhepi i tyre për sigurimin e materialeve bujqësore, konkretisht plehut artificial dhe farërave të përzgjedhura, pavarësisht subvencionimit të premtuar nga ana e shtetit për shumë kultura pranverore, sidomos për fermerët që do të kultivojnë perime dhe për ata që kanë paraparë që arat e tyre t’i mbjellin me misër.
Bujku kosovar, s’ka si mos të harxhojë më shumë para për këto mbjellje, kur dihet se çmimi i plehut mineral dhe i karburanteve është ngritur jashtëzakonisht shumë, madje në nivele rekorde, muaj më parë dhe nuk ka pasur ndonjë ulje çmimesh të këtyre produkteve në prag të mbjelljeve të pritshme pranverore.
Aktualisht, çmimi i plehut njëlloj sikur muaj më parë, po tregtohet dyfish (e më shumë) më shtrenjtë sesa vitin e kaluar.
Nëpër barnatore bujqësore thesi i plehut urea sillet nga 20-25 euro. Mirëpo, në përgjigjiet për Buletinin Ekonomik, shitësit e barnatoreve bujqësore në Prishtinë thonë se ndonëse ka pasur rritje të çmimeve të plehut artificial, çmimi i farërave nuk ka lëvizur fare. Sipas tyre, nëpër barnatore çmimi i farërave të perimeve në paketime të vogla, konkretisht farërat e specave, domateve, trangujve dhe perimeve të tjera është 50 centë për një paketim fare të vogël.
Ndërkohë, nëpër këto barnatore ka edhe farëra të cilat kushtojnë edhe afro 200 euro. Këto farëra, siç thonë shitësit, janë sosh të perimeve hibride, të cilat merren për qëllime komerciale dhe që janë në paketime të mëdha.
Kohë më parë, Buletini Ekonomik ka raportuar për rritjen enorme të këtyre produkteve, ku një thes i plehut artificial -Urea, që gjatë vitit të kaluar ka kushtuar 8 euro, tani thuaja në të gjitha farmacitë bujqësore dhe në pikat e tjera të tregtimit të këtij produkti në Kosovë, kushton 25 euro.
Mbase mund të gjendet në ndonjë pikë tregtimi edhe me 24 euro. Kjo rritje kaq e madhe e një produkti-lëndë e parë e rëndësishme në bujqësi nuk ka ndodhur deri tani në Kosovë, sepse i bie që çmimi i një thesi të plehur artificial është ngritur trefish, ose në përqindje 300 për qind.
Janë ngritur, përafërsisht në këtë nivel, ose pak më pak se Urea edhe të gjitha llojet e tjera të plehrave artificiale dhe produktet e tjera të repromaterialit të bujqëve kosovarë, të cilat janë të domosdoshme për mbjelljet pranverore dhe për riplehërimin e grunajave.
Mirëpo, ky nuk është problem i vetëm për fermerët dhe bujqit në vend. Rritja e çmimit të naftës e vështirëson edhe më shumë zhvillimin e bujqësisë.
Thuaja çdo ditë në Kosovë raportohet për luhatje të çmimit të derivateve, e që konsiston në ngritje të tyre.
Edhe në fillim të këtij muaji është raportuar për luhatje të derivateve, ku një litër naftë është shitur deri në 1.69 euro, ndërkaq benzina deri në 1.59 euro, varësisht nga operatori ekonomik dhe lokacioni. Çmimi i këtij produkti ditëve në vazhdim kishte shënuar rënie deri në 1.49 euro.
Ndryshe, edhe Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare së bashku me ‘Konrad-Adenauer-Stiftung Kosovo’ gjatë ditës së djeshme kanë organizuar një tryezë diskutimi me temën”Pasojat ekonomike globale të pushtimit rus të Ukrainës, në veçanti për Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor”.
Në konferencë u tha se ndikimi më i madh i luftës në Ukrainë për Kosovën do të jetë në lëvizjen e çmimeve të produkteve, sidomos të plehrave minerale, duke qenë se Kosova varet në masë të madhe nga produktet e importit, përcjell Buletini Ekonomik.
P.sh., prej 18 milionë euro sa ishte vlera e gjithsej importeve të plehrave kimike në Kosovë më 2021, rreth 5 milionë euro prej tyre ishin vetëm nga Rusia.
Mirëpo, në përgjithësi, bilanci tregtar i Kosovës me këtë shtet është i vogël dhe vlerësohet se nuk mund të këtë efekt edhe aq direkt në importet e Kosovës. /Buletini Ekonomik/