Nga tërheqja eventuale e 30 përqindëshit të deponimeve financiare në TRUST, do të përfitojnë absolutisht vetëm ata që kanë shuma marramendëse në TRUST, ata që kanë mbi 30, 50 mijë e 100 mijë euro e tutje dhe për ta një 30 përqindsh i këtij fondi është para e madhe. 30 për qind e 100 mijë eurove bëjnë 30 mijë euro. Të varfërit, në emër të të cilëve po kërkohet kjo tërheqje, nuk do të përfitojnë thuajse asgjë.
Mehmet GJATA
Njohësit e proceseve ekonomike në përgjithësi dhe në veçanti ata që iu kanë përkushtuar me zell zhvillimeve financiare te ne dhe në botë, deklarojnë pa ekuivoke duke insistuar se paratë e Fondit të Kursimeve Pensionale (TRUST-it) janë të paprekshme.
Nuk duhet të huazohen, as të transferohen sipas tekeve të kujtdoqoftë për ta ndihmuar ndonjë subjekt ekonomik, grupacion politik apo shtresë sociale të rrezikuar financiarisht, në asnjë rast dhe në asnjë mënyrë, as të përdoren ad-hoc nga shteti as pushteti, cilido qoftë ai.
Përkundrazi, paratë e TRUST-it duhet të ruhen me fanatizëm atje ku janë deponuar ato dhe detyrë primare e stafit të TRUST-it dhe subjekteve të tjera të angazhuara direkt dhe indirekt në këtë asociacion, është ruajtja e këtyre parave dhe pastaj si detyrë poashtu e rëndësishme është përpjekja e stafit ditë e natë për shfrytëzimin e të gjitha mundësive për t’i valorizuar këto para. Kjo do të thotë që stafi i TRUST-it duhet të jetë i shkathtë dhe i përgatitur profesionalisht që të përzgjedhë fillimisht subjektin afarist (bankar, biznesor apo investues) më të mirin, më të fuqishmin financiarisht dhe më të besueshmin, ku do t’i investojë paratë e veta, që në fakt janë para të qytetarëve kosovarë dhe pastaj të bëjë çmos për t’ua shtuar vlerën mjeteve të deponuara.
Në këtë kontekst, stafi i TRUST-it, pra edhe ky i Kosovës, duhet të ketë potencë profesioniste për të përcjellë me kohë lëvizjet financiare ndërkombëtare, ato në bursat e ndryshme monetare, e sidomos të bursave ku në ndonjë mënyrë është i përfaqësuar apo i anëtarësuar subjekti ku janë investuar paratë e tyre.
Dhe, pandam këtyre lëvizjeve financiare, qoftë momentum krize dhe rënies së vlerës së investimeve, apo të rritjes momentale të këtyre investimeve, të veprohet për aq sa ka mundësi.
Duhet pasur parasysh, se edhe veprimet në këto raste për t’u përkujdesur për ecuritë e investimeve të deponuara, nuk janë edhe aq të mundshme nga ana e stafit të TRUST-it, pasi që paratë e deponuara, apo të investuara tani menaxhohen nga tjetërkush, gjegjësisht nga subjekti financiar që administron paratë e TRUST-it.
Duke i pasur të gjitha këto fakte parasysh, është goxha i pakuptueshëm, por edhe i diskutueshëm insistimi i këtyre ditëve i disa politikanëve kosovarë, një numri deputetësh, por edhe ndonjë ekonomisti, për të tërhequr një shumë jo të paktë parash të TRUST-it për t’i shpërndarë nga 30 për qind të mjeteve, me pretekstin për ta zbutur gjendjen e rëndë financiare të një numri kosovarësh.
I gjithë ky insistim, që po bëhet thuaja për çdo ditë dhe që ka zënë të bëhet si presion goxha i madh ndaj qeverisë dhe stafit të TRUST-it, po vazhdon të bëhet në emër të kërkesave për ndihmë ndaj popullatës së varfëruar nga ngritja e çmimeve dhe kriza evidente sociale si pasojë e pandemisë.
Bekim Haxhiu, deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), një nga më të zëshmit në kërkesat për tërheqjen e parave të TRUST-it, për të satën herë ka thënë këto ditë se “qytetarëve nuk iu ka mbetur rrugë tjetër për t’i mbështetur, përveç asaj për tërheqjen e parave nga TRUST-i”.
Ai, sikundër edhe disa të tjerë deputetë dhe liderë partish, por edhe ndonjë njohës i rrallë i rrethanave ekonomike financiare në vend, pa elaboruar fare pasojat eventuale nga kjo tërheqje dhe pa sqaruar asnjëherë të vetme se kush do të përfitojë nga këto para, eventualisht të tërhequra nga TRUST-i, ose sa do të ndikonin në ç’ekulibrimin e ecurive financiare në TRUST, përkatësisht në përmirësimin eventual të gjendjes sociale të atyre që do t’i tërhiqnin këto para, vazhdojnë me ngulm ta kërkojnë këtë tërheqje parash.
Bekim Haxhiu, Ramush Haradinaj, përfaqësues të PDK-së, Safet Gërxhaliu dhe të tjerë, ndër më të zëshmit në këto kërkesa, por edhe disa përkrahës të tjerë të idesë së tërheqjes së këtyre parave nga TRUST-i, jo vetëm që asnjëherë nuk kanë apostrofuar asnjë pasojë të mundshme në rast të tërheqjes së këtyre parave, por nuk kanë thënë asnjë fjalë të vetme as se kush do të ishin përfituesit, kush do të përfitojë, pra, nga tërheqja e 30 përqindshit nga TRUST-i, e kërkuar aq me ngulm nga ta.
Ndërsa, mbështetur në të dhënat e strukturës së personave që kanë mjete të deponuara në TRUST, përfitues të vetëm do të jenë kërkuesit e tërheqjes së këtyre mjeteve, pra deputetët, liderët e partive, ish-drejtorë dhe udhëheqës të asociacioneve të ndryshme politike, ekonomike, por edhe sish të shoqërisë civile, të cilët kanë shuma të mëdha të mjeteve tashmë të deponuara në TRUST, për shkak se këta persona që nga themelimi i TRUST-it kanë pasur të ardhura të mëdha edhe disa herë mbi mesataren e pagave të Kosovës.
Do të përfitojnë pra nga kjo tërheqje, absolutisht vetëm ata që kanë shuma marramendëse në TRUST, ata që kanë mbi 30, 50 mijë e 100 mijë euro e tutje, dhe për ta një 30 përqindsh i këtij fondi është para e madhe. 30 për qind e 100 mijë eurove bëjnë 30 mijë euro.
Prandaj, ky është ineresi i kërkuesve të tërheqjes së këtyre parave, të cilët, dorën në zemër nuk është se janë dëgjuar shumë për të shpjeguar dhe sqaruar se sa do të përfitonin ata që kanë nevojë për këto para, pra ata që kanë 10 mijë e më pak euro të deponuara dhe të cilët numerikisht janë shumicë absolute. Dhe kjo shumicë, praktikisht nuk do të përfitojë asgjë.
Do të mbesë edhe pa 30 për qind të këtyre kursimeve, që për vitet e pleqërisë, pas pensionimit, mbase edhe do t’iu ndihmonin paksa ta zbusnin gjendjen e varfër edhe financiare të tyre.
Kërkuesit e tërheqjes së 30 për qind të depozitave në TRUST, poashtu, tash për tash, së paku publikisht nuk kanë sqaruar edhe një fakt shumë të rëndësishëm në këto kërkesa e që është çështja esenciale se kush do t’i kthejë, apo do t’i kompensojë në TRUST paratë e tërhequra, Qeveria siç veproi në tërheqjen e 10 përqindëshit më 2020, apo këto mjete financiare do të llogariteshin minus si para të tërhequra nga kontot e tërheqësit të këtij fondi.
Dhe është çështje shumë e diskutueshme se kush do ta bënte kompensimin, në rast të tërheqjes së këtyre mjeteve, prandaj paraprakisht duhet sqaruar saktësisht këtë çështje.
Sido që të jetë, paratë e TRUST-it është mirë të mos preken në asnjë rast, përderisa të krijohen rrethana të reja ligjore që ato të ketë mundësi të investohen në zhvillimin ekonomik të vendit. Tani, në rrethanat aktuale, këto para duhet të jenë të paprekshme dhe ky duhet të jetë parim, normë dhe rregull e respektueshme, edhe invidualisht edhe institucionalisht. Në këtë kontekst, edhe stafi i TRUST-it duhet të jetë shumë më i guximshëm për të sqaruar pasojat eventuale nga tërheqja e këtyre mjeteve. Kështu, fundja, veprohet në shtetet normale. /Buletini Ekonomik/