Oda Ekonomike Amerikane kundër tërheqjes së mjeteve nga Trusti

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë -OEAK

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK) është shprehur se është kundër një mundësie të dytë për tërheqjen e mjeteve nga Trusti Pensional.

Kjo Odë, përmes një njoftimi për media, ka thënë se masat e tilla janë në kundërshtim me qëllimin për të cilin fondi i kursimeve pensionale ekziston.

Sipas tyre, kursimet pensionale të qytetarëve duhet të mundësojnë një standard të dinjitetshëm të jetesës pas pensionimit të tyre, prandaj reduktimi i vlerës së kursimeve pensionale do të cenojë standardin e jetesës në moshën pas pensionimit.

Reklama e sponzorizuar

“Oda Amerikane beson fuqishëm që masat e tilla janë në kundërshtim me qëllimin për të cilin fondi i kursimeve pensionale ekziston dhe që masa do të kishte përfitime afatshkurta socio-ekonomike”, thuhet në komunikatën e OEAK.

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë i bënë thirrje Qeverisë që të konsiderojë rishikimin e politikave tatimore për produktet esenciale ashtu që ta bëjë të përballueshme situatën aktuale të çmimeve të ngritura për qytetarët e Kosovës, e veçanërisht atyre me nivel më të kufizuar të të ardhurave.