Prej 18 milionë euro sa ishte vlera e importeve të plehrave kimike në Kosovë më 2021, rreth 5 milionë euro prej tyre ishin nga Rusia.
Mirëpo, në total, bilanci tregtar me këtë shtet është i vogël dhe nuk mund të këtë efekt direkt në importet e Kosovës.
Ndikimi kryesor do të jetë i tërthortë te rritja e çmimeve si pasojë e shtrenjtimit të energjisë elektrike. Kështu u tha në tryezën “Pasojat ekonomike globale të pushtimit rus të Ukrainës, në veçanti për Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor” të organizuar nga Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare (OEGJK).
Plehrat kimike dhe llamarina janë dy produktet kryesore që Kosova importon nga Rusia.
Blendi Hasaj, Drejtor Ekzekutiv në Institutin GAP, tha se ndikimi i luftës në Ukrainë për Kosovën do të ketë ndikim sidomos tek furnizimi me grurë për shkak të vendimit të Serbisë dhe Hungarisë për ndaljen e eksporteve të grurit.
Në konferencë u tha se ndikimi më i madh i luftës në Ukrainë për Kosovën do të jetë në lëvizjen e çmimeve të produkteve, duke qenë se Kosova varet në masë të madhe nga produktet e importit. /Buletini Ekonomik/