Qeveria miraton rishikimin e buxhetit, arkës së shtetit i shtohen mbi 150 milionë euro

Kabineti qeveritar i Kosovës

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme ka miratuar edhe vendimin për rishikimin e buxhetit të shtetit.

Ky rishikim ka ardhur pas paralajmërimeve për ofrimin e mbështetjes me nga 100 euro për muajin prill për të gjithë punëtorët e sektorit privat dhe ata publik, për pensionistët si dhe për studentët.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati tha se rishikimi i buxhetit kësaj radhe është i jashtëzakonshëm, ndërsa rishikimi i rregullt i buxhetit do të bëhet sërish në mes të vitit.

Reklama e sponzorizuar

Sipas tij, buxhetit të shtetit do t’i shtohen gjithsej 150 milionë e 500 mijë euro, përcjell Buletini Ekonomik.

Këto mjete janë arkëtuar si rezultat i rritjes së të hyrave, që siç tha Murati janë për 17 përqind më të larta në raport me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Murati tha se kjo vlerë financohet nga rritja e të hyrave prej 66.6 milionë eurove, nga financimet e jashtme prej 40 milionë euro, kurse pjesa tjetër vjen nga shfrytëzimi i bilancit tregtar ekzistues.

“Tre mujorin e parë të vitit kemi pasur 17 për qind më shumë të hyra, marrë parasysh edhe nevojën për mbështetjen e qytetarëve është parë e nevojshme të kemi një rishikim të tillë që të reflektohen këto të hyra. Vlera që shtohet e buxhetit është 150 milionë e 500 mijë euro dhe rishikimi bëhet vetëm në Ministrinë e Financave në Pakon e Ringjalljes Ekonomike, te kategoria subvencione dhe transfere. Kjo vlerë financohet nga rritja e të hyrave prej 66 milionë euro, nga financimi i jashtëm prej 40 milionë euro dhe pjesa tjetër vjen nga shfrytëzimi i bilancit tregtar ekzistues”, tha Murati. /Buletini Ekonomik/