“Gjykata e Tenderëve” ka mbi një vit që s’është funksionale. Bordit të vjetër të Organit Shqyrtues të Prokurorimit i ka pëfunduar mandati më 31 mars të vitit të kaluar, e Bordi i ri s’është zgjedhur ende.
Shkaku i kësaj, qindra tenderë kanë mbetur të bllokuar, e kontratat po bëhen me negocim, të cilat kanë kosto më të lartë. Për këto të fundit, opozita ka kërkuar edhe hetim nga Prokuroria.
Rreth 700 tenderë në vlerë të mbi 200 milionë eurove kanë mbetur të bllokuar, meqë Bordi i Organit Shqyrtues të Prokurorimit (OSHP), nuk është funksionalizuar ende.
“Vlera e ankesave të pashqyrtuara, sipas vlerës së parashikuar në njoftimin për kontratë e kalon shumën prej 200,000,000 euro”, kishin deklaruar nga OSHP’ja, para një muaji.
Bordi i ri s’është funksionalizuar ende, meqë Kuvendi s’kishte arritur t’i emërojë kryetarin dhe katër anëtarët e bordit në dhjetor të vitit të kaluar.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kishte thënë se komisioni vlerësues për përzgjedhjen e kandidatëve për bord të OShP-së ka qenë shumë i pakënaqur me kandidatët që kanë aplikuar.
Qeveria i ka dërguar emrat e rinj Kuvendit, më 9 mars. Emrat e propozuar janë: Nita Bejta, Milot Spahiu, Arbnor Tmava, Vedat Peterqoi, Faruk Rexhaj, Bujar Lushaku, Batisha Ibrahimi, Dafina Gashi, Vjosa Gradinaj-Mexhuani dhe Kimete Gashi.
Për mosfunksionalizimin e këtij bordi ka pasur reagime të shumta nga opozita dhe shoqëria civile.
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, është ankuar për mos funksionalizimin e këtij bordi, duke thënë se qindra miliona euro tenderë publik janë të bllokuar.
Ajo ka thënë ky është bllokim i parasë dhe i projekteve shumë të rëndësishme.
“Ne sot kemi qindra milionë euro tenderë publikë të cilët janë të bllokuar për shkak të mosfunksionalizimit të Organit Shqyrtues të Prokurimit. Janë 38 qeverisje komunale që kanë lëndë në OSHP, është bllokim i parasë. Bllokimi i parasë, nëse një kompani e ka fituar tenderin për një projekt infrastrukturore, qoftë rrugë, urë, spital, shkollë etj, kemi një fitues dhe disa kompani që janë ankuar, ky projekt nuk ka filluar asnjëherë. Për të gjithë tenderët që ka pasur ankesa kjo është bllokadë. Për ato që nuk ka pasur ankesa, ato mund të vazhdojnë”, ka deklaruar Bajrami.
Bajrami ka përmendur edhe tendërët një burimor të Ministrisë së Infrastukturës.
“Por krahas bllokimit të OSHP-së, ju e keni pa se çka po ndodh të Ministria e Infrastrukturës. 42 tenderë një burimor janë nënshkruar, në vlerë prej 9 milionë euro në MI. Thirren kompanitë dhe bëhen me negocim të drejtpërdrejtë. Sipas informatave që ne kemi, në qeveritë e kaluara për rreth 4 vite janë nënshkruar 15 kontrata të negociuara, ndërkaq për një vit qeverisje të LVV-së janë nënshkruar 42 kontrata të tilla”, ka thënë Bajrami.
Për këta tenderë, ka mbajtur konferencë edhe Partia Demokratike e Kosovës.
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK’së, Abelard Tahiri, ka akuzuar Ministrinë e Infrastrukturës për nënshkrimin e 42 kontratave njëburimore, vlera e të cilave arrin mbi nëntë milionë euro.
Duke thënë se nënshkrimi i kontratave të tilla nuk ka ndodhur asnjëherë më parë, Tahiri ka kërkuar nga Prokuroria që të nisë hetime për këto kontrata.
PDK-ja, përmes një njoftimi për media, ka dërguar edhe listën e kontratave në të cilat pretedojnë se u bë keqpërdorim i 9 milionë eurove.
“Ministria e Infrastrukturës e drejtuar nga z. (Liburn) Aliu dhe z.(Hysen) Durmishi kanë nënshkruar 42 kontrata njëburimore, vlera e të cilave arrin mbi 9 milionë euro. Nënshkrimi i këtij numri të kontratave njëburimore, pa konkurrencë, në mënyrë të negociuar, nuk ka ndodhur asnjëherë më parë. Ky është një rast për Prokurorinë e Kosovës sepse shpenzohen rreth 9 milionë euro, apo 10 për qind e buxhetit të kësaj ministrie të shkojnë në punë të paparashikueshme, është e patolerueshme dhe kërkojmë nga Prokuroria që të hetojë mbi këto kontrata”, ka deklaruar Tahiri.
Në këtë konferencë kishte folur edhe deputetja e PDK-së Eliza Hoxha, sipas të cilës, këto shkelje të Ligjit për Prokurimin Publik “janë argumentuar”.
Ajo ka thënë se shumica e këtyre kontratave janë nënshkruar nga zëvendësministri Hysen Durmishi, derisa legjislacioni në fuqi nuk e parasheh këtë.
“Në kontratat e nënshkruara brenda kësaj periudhe njëveçare, Ministria e Infrastrukurës ka eliminuar konkurrencën e lirë dhe ka diskriminuar operatorët ekonomik. Shkelje tjetër ligjore në këto kontrata edhe e mos planifikimit i aktiviteteve të prokurimit, siç përcaktohet në nenit 8 të ligjit. Sepse, gjatë periudhës 22.03.2021 – 07.04.2022 procedura e negociuar pa publikim të kontratës është përdorur 42 herë, nënkupton që menaxhimi dhe planifikimi vjetor rreth procedurave të prokurimit ka qenë thjesht një dështim, ku shumica e këtyre kontratave janë punë shtesë apo 10 % të kontratave bazë. Vlera e kontratave gjatë përdorimit të kësaj procedure në periudhën një vjeçare arrin vleren rreth 9 milion euro”, ka deklaruar Hoxha.
Ndërkohë, anëtari i Kryesisë, Bernard Nikaj, e kishte quajtur këtë “super-aferë” të Qeverisë Kurti. Sipas tij, pushtetarët kanë ndarë nën tavolinë, rreth nëntë milionë euro nga taksat e qytetarëve.
“E gjithë kjo ndërmarrësi korruptive, e bën shumë të qartë se nuk kemi të bëjmë me procese prokurimi. Kemi të bëjmë me fenomenin e pastër të tenderomanisë. Dhe për më keq, tenderomanisë pa procese e procedura tenderësh të hapur. Shkeljet e evidentuara dhe abuzimi me paranë publike në këtë rast, përbëjnë vepër të pastër penale, dhe mbi këtë bazë, ne do të përgatisim kallzim penal për secilin akter të përfshirë”, kishte thënë Nikaj.
Për mos zgjedhjen e anëtarëve të bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit në dhjetor, kishte reaguar edhe analisti politik, Albert Krasniqi.
Ai e kishte konsideruar si dështimin më të madh të Kuvendit të Kosovës për vitin 2021. Kishte deklaruar se rreth 350 milionë euro janë bllokuar të hyjnë në ekonominë e vendit për këtë shkak.
“Prej dështimeve më të mëdha të Kuvendit këtë vit është mos zgjedhja e anëtarëve të bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit (e njohur si Gjykata e Tenderëve). OSHP është jofunksionale prej muajit mars, pasi anëtarëve u ka skaduar mandati. Prej asaj periudhe, asnjë tender publik për të cilin ka pasur ankesa nuk ka mundur të ekzekutohet. Rreth 350 milionë euro janë bllokuar të hyjnë në ekonominë e vendit. Në anën tjetër, është rritur numri i kontratave të negociuara, pasi mundësitë e ankesës janë shumë më të vogla”, kishte shkruar Krasniqi.
Nga ky dështim i Kuvendit, Krasniqi kishte thënë se është dëmtuar zhvillimi i ekonomisë dhe është rritur mundësia për korrupsion, janë dëmtuar bizneset, janë dëmtuar qytetarët, po favorizohen bizneset e caktuara si dhe po dëmtohet buxheti i shtetit, pasi si pasojë e mungesës së konkurrencës reale paguhet më shtrenjtë./Express/