Rritet sërish nafta në Shqipëri, arrin 233 lekë

Çmimi i naftës është rritur sërish në pikat e tregtimit me shumicë dhe pakicë  në vend si reflektim i ndryshimeve në bursë nën zbehjen e efektit të ndërhyrjes së SHBA-ve.

Këtë të martë në pikat e pakicës nafta po tregtohet me 233 lekë litri nga 226 lekë që ishte më herët ndërkohë që në bursa çmimi i një fuçie naftë arriti mbi 107 dollarë.

Benzina nga ana tjetër shkoi në 209 lekë në pikat e tregtimit me pakicë nga 208 që ishte më herët.

Reklama e sponzorizuar

Ndërkohë në pikat e shumicës një litër naftë ishte 221 lekë dhe një litër benzinë 197 lekë. Gazi qe me heret tregtohej me 114 leke tashme eshte 115 leke.

Çmimet e tregtimit të karburanteve në vend po vendosen aktualisht nga Bordi i Transparencës përmes mbledhjeve periodike që zhvillon herë pas here në varësi të zhvillimeve.

Ky bord po përcakton çmimet për naftën, benzinën dhe gazin.

Lidhur me këtë të fundit Bordi ka nënvizuar se çmimi i shitjes për gazin e lëngshëm të automjeteve do të jetë çmimi i furnizimit në stacionet e furnizimit në pikat e karburanteve, ndërkohë që në pikat e tjera për konsumatorët familjarë dhe industrial çmimi nuk duhet të përfshijë akcizën.

Rënia e lehtë në bursa ku një fuçi naftë arriti në 100 USD ju atribuua për disa ditë lëvizjes së SHBA-ve të cilat lëshuan në treg rezervën strategjike të naftës në një përpjekje për të zbutur tendencën rritëse të vazhdueshme.

Rezerva strategjike në treg do të thotë 1 milionë fuçi në ditë në tregje për 6 muaj radhazi por ekspertët vlerësojnë se kjo lëvizje mund të zbusë disi tendencën e rritjes së çmimit por padyshim nuk do të mundet ta ndalë përfundimisht atë.

Vendimi i Bordit të Transparencës datë 5.4.2022

Bordi i Transparencës i mbledhur në datë 5 Prill 2022 vendosi çmimet e reja të shitjes së karburanteve me pakicë dhe shumicë për tregun vendas.

Këto çmime reflektojnë ndryshimet që janë shfaqur në tregjet ndërkombëtare.

Nisur sa më sipër, Bordi i Transparencës i ngritur me vendim qeverie, me qëllim kufizimin e përkohshëm të çmimeve të tregtimit me shumicë/pakicë, bazuar në metodologjinë e ndërtimit të çmimeve sipas nenit  21/5 të Aktit Normativ, vendosi:

Miratimin e çmimit tavan të tregtimit me shumicë të produkteve për datën 05.04.2022 deri në datë 12.04.2022, si më poshtë:

-221 Lekë/litri për gazoilin;

-197 Lekë/litri për benzinën;

-103 Lekë/litri për gazin

Miratimin e çmimit tavan të tregtimit me pakicë të produkteve për datën 05.04.2022 deri në 12.04.2022, si më poshtë:

-233 Lekë/litri për gazoilin;

-209 Lekë/litri për benzinën;

-115 Lekë /litri për gazit të lëngshëm të naftës.*( çmimi i shitjes për gazin e lëngshëm të automjeteve do jetë çmimi i furnizimit në stacionet e furnizimit në pikat e karburanteve, ndërkohë që në pikat e tjera për konsumatorët familjarë dhe industrial çmimi nuk duhet të përfshijë akcizën).