Huamarrja sovrane globale do të arrijë në 10.4 trilion dollarë në vitin 2022, duke u rritur kështu me gati një të tretën e mesatares përpara fillimit të pandemisë së koronavirusit, sipas një raporti të S&P Global Ratings.
Pavarësisht rimëkëmbjes ekonomike, huamarrja do të vazhdojë të mbetet e lartë për shkak të kërkesave të larta për rinovimin e kredive dhe të luftës në Ukrainë, tha agjencia e vlerësimit në një raport vjetor.
Megjithëse 137 vende do të marrin në total 10.4 trilionë dollarë hua në vitin 2022, 30% më pak se në vitin 2020, shifra e përgjithshme është rritur me një të tretën e mesatares së huamarrjes në periudhën e viteve 2016 dhe 2019, tha S&P.
“Shtrëngimi i kushteve monetare do të rrisë kostot e financimit të qeverive,” thanë analistët e S&P.
“Kjo do të sillte vështirësi shtesë për huatë sovrane që nuk kanë mundur të rifillojnë rritjen, të zvogëlojnë varësinë nga financimi në valutë të huaj dhe ku faturat e interesit janë jashtëzakonisht të larta.”
Huamarrja në ekonomitë në zhvillim të Europës, të Lindjes së Mesme dhe të Afrikës do të rritet me 253 miliardë dollarë duke arritur në 3.4 trilion dollarë deri në fund të vitit, tha S&P në një raport të publikuar të enjten.
Egjipti, i cili kohët e fundit ka kërkuar ndihmën e FMN-së, do t’ia kalojë Turqisë si emetuesi më i madh i borxhit sovran në rajon, me 73 miliardë dollarë shitje të bonove të thesarit, sipas parashikimeve të analistëve të S&P.
Ndër vendet më të mëdha në rang global, Kenia, Egjipti dhe Japonia kanë pjesën më të madhe të borxhit që duhet të rinovohet këtë vit, thanë analistët, duke theksuar borxhin afatshkurtër prej 26% dhe 30% të stoqeve totale të huasë në Egjipt dhe Kenia, respektivisht.
Borxhi tregtar në tregjet në zhvillim të Europës, të Lindjes së Mesme dhe të Afrikës do të rritet në 37% të PBB-së, nga 31% që ishte në vitin 2016, duke u nxitur kryesisht nga kostot e pandemisë, rritja e huamarrjes komerciale në Oman dhe në Arabinë Saudite, si dhe nga “deficitet e larta fiskale” në Egjipt dhe Rumani.
Në të gjithë tregjet në zhvillim, analistët e JPMorgan thanë se norma e mospagimit të korporatave mund të arrijë në 8.5% këtë vit, më shumë se dyfishi i shifrës 3.9% që pritej përpara se Rusia të pushtonte Ukrainën, duke u bërë norma më e lartë që nga kriza financiare globale./ Reuters/Monitor/