Sindikatat me gjashtë kërkesa për Qeverinë e Kosovës, paralajmërohet grevë nga 20 prilli

Protesta e BSPK-së dhe SBASHK-ut

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës ka protestuar për të kërkuar shtesat prej 100 euro për çdo të punësuar deri në miratimin e Ligjit për pagat, zbatimin e Ligjit për Sigurimet Shëndetësore si dhe ndryshim e Ligjit për Skemat Sociale.

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës ka mbajtur një protestë, ndërsa kanë paraqitur gjashtë kërkesa për Qeverinë e Kosovës, ndër të cilat ishin Ligji i Pagave, Ligji i Sigurimeve Shëndetësore.

Protesta ka nisur me marshin prej Bibliotekës Kombëtare, ndërsa janë ndaluar te Sheshi “Skënderbe”, para ndërtesës së Qeverisë, ndërkaq protestuesit kanë kërkuar që të lejohet edhe një tërheqje e parave nga Trusti Pensional.

Reklama e sponzorizuar

Protestuesit brohorisin “Ngritja e pagave është domosdoshmëri”, “Zbatojeni ligjin”, “Arsim cilësor nuk mund të ketë derisa nuk ka paga të dinjitetshme”, “Miratojeni  ligjin për pagat”, “Aprovojeni tërheqjen nga Trusti Pensional”, etj.

Organizatori i protestës së sotme, të mbajtur nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura, Atdhe Hykolli, tha se kanë dalë në protestë për të kërkuar atë, që sipas tij u takon, e që mendon se u takon edhe më tepër.

Hykolli kërkoi nga kryeministri Kurti hartimin e Ligjit për Paga, në kohë sa më të shpejtë e pa zvarritje, e deri atëherë ai kërkoi rritje page për 100 euro për të gjithë sektorin publik.

“Kërkesat tona janë të arsyeshme e jo rënduese. Kërkojmë hartimin si duhet, por jo të zvarritur Ligjin për Paga, që tash do të duhej të ishte për tu miratuar. Nuk e duam Ligjin për Pagat vetëm si emër, por e duam Ligjin për Paga që do ët krijonte një sistem të njëtrajtshëm të pagave për sektorin publik. E, deri sa kjo të ndodh ne kërkojmë rritje page prej 100 euro për të gjithë sektorin publik”, ka thënë Hykolli.

Tutje, ai i bëri thirrje qeverisë që të pranojë kërkesat e tyre, e t’i pranojë ata në dialog ku sipas tij, bashkë mund të gjejnë zgjidhje.

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Rrahman Jasharaj, i cili mori pjesë në protestën e sotme të BSPK-së, tha se qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti është shembulli më i keq i heshtjes dhe i mungesës së gatishmërisë për dialog.

Jasharaj tha se nëse nuk merren parasysh kërkesat e kësaj sindikate, nga 20 prilli punëtorët e arsimit do të hyjnë në grevë, e për këtë fajtor sipas tij është kryeministri Kurti.

“Këta punëtorë të arsimit, nga 20 prilli do t’i shohësh në grevë dhe populli lë ta dijë se fajtori i vetëm është kryeministri Kurti dhe qeveria e tij. Në të ardhmen do të jemi këtu, sepse është sheshi ynë, në të ardhmen do të jemi në shkolla, por do të jemi në grevë”, është shprehur.

Tutje, kryetari i SBASHK-ut, tha se dikujt s’do i dalin hesapet si duhet, e sipas tij, asaj që s’do i dalin hesapet si duhet do të jetë Qeveria e Kosovës.

BSPK njofton se ekzekutivit do t’i parashtrohen publikisht kërkesat e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës:

100 euro nga buxheti i shtetit për të gjithë të punësuarit në sektorin publik përfshirë edhe punëtorët e Ndërmarrjeve Publike – deri në përmbushjen e kërkesave të mëposhtme:

  • Përcaktimi i Pagës Minimale
  • Miratimi i Ligjit për Paga
  • Nisja e zbatimit të Ligjit për Sigurimet Shëndetësore
  • Nënshkrimi i marrëveshjes kolektive gjithëpërfshirëse
  • Amendamentimi-ndryshimi i Ligjit për Skemat Pensionale të Financuar nga Shteti, pranimi i përvojës se punës për të gjithë të larguarit nga puna gjatë viteve të 90-ta, dhe të eliminohet kriteri prej 15 vite përvojë punë para vitit 1999.
  • Projektligji për paga, që parasheh rritje të pagave në bazë të koeficientit, apo detyrave që kanë punonjësit publikë, ka mbetur pezull që nga viti 2020.

Ky ligj ishte miratuar në shkurt të vitit 2019 dhe kishte hyrë në fuqi në mars të po atij viti. Por, Avokati i Popullit e kishte dërguar këtë ligj në Gjykatën Kushtetuese për vlerësim të përputhshmërisë së tij me Kushtetutën e vendit.

Buxhetit të Kosovës, skemat sociale dhe pensionale brenda një viti i kushtojnë 43.3 milionë euro.

Vlera më e madhe shkon te pensionet bazike të moshës apo 14.9 milionë. Kjo kategori merr pagesë prej 100 eurosh në muaj.

Ndërkaq, në kategorinë e pensionit kontributpagues të moshës, vlera varion në bazë të nivelit të shkollimit.

Në kategorinë e parë hyjnë pensionistët e parsimuar ose ata me arsim fillor dhe pensioni është në vlerë prej 182 eurosh. Ata me arsim të mesëm marrin 198 euro në muaj, pensionistët me arsim të lartë marrin pension prej 214 eurosh në muaj dhe pensionistët me arsim universitar paguhen me 265 euro.

Në Kosovë ka edhe skema të tjera pensionale dhe sociale përfshirë edhe pensionet për veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të Forcave të Sigurisë së Kosovës, të punëtorëve të kompleksit “Trepça” e të tjerë.