Tahiri: Nesër do të dorëzojmë kallëzim penal për secilin anëtar të ZRRE-së

Abelard Tahiri- Shef i grupit parlamentar të PDK-së

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri ka paralajmëruar se nesër opozita do të dorëzojë kallëzim penal në Prokurorinë Speciale, për secilin anëtar, veç e veç, të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE).

Sipas tij, ZRRE-ja nuk po e respekton vendimin e Gjykatës së Prishtinës.

Gjykata Themelore e Prishtinës më 9 prill e kishte aprovuar kërkesë-padinë e Partisë Demokratike e Kosovës (PDK), kundër vendimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE), për aprovimin e tarifave të reja të rrymës.

Reklama e sponzorizuar

Ndërkohë, pas mbledhjes se Kryesisë së Kuvendit që u mbajt sot, deputeti Tahiri tha se aplikimi i tarifave të reja është haraç ndaj qytetarëve.

“Meqenëse ZRRE-ja është deklaruar që nuk do ta respektojë vendimin e Gjykatës dhe tarifat e reja do të vazhdojnë, ne qysh nesër do të procedojmë në Prokurori Speciale kallëzim penal për secilin anëtar veç e veç të ZRRE-së. ZRrE në mënyrë të njëanshme dhe të jashtëligjshme ka vendos t’i tarifojë qytetarët me çmim të shtrenjtimit mbi 100 për qind duke qenë në kundërshtim me vendimin e Gjykatës. Ky është haraç që vartësit e Albin Kurtit i kanë vendosur qytetarëve dhe ne nuk do ta tolerojmë. Ekipet tona e kanë bërë tashmë gati kallëzimin penal”, ka thënë Tahiri.

Pas rritjes së tarifave të energjisë, Partia Demokratike e Kosovës kishte ushtruar padi kundër vendimit të ZRRE-së, dhe i kishte kërkuar Gjykatës që deri në nxjerrjen e vendimit final, rritja e tarifave të energjisë të mos zbatohej.

PDK, në kërkesën të cilën e kishte paraqitur në Gjykatë, kishte konsideruar se vendimi i ZRRE-së do të shkaktonte pasoja të pariparueshme për qytetarët në Kosovë.

Ndërsa propozimi i kësaj partie ishte kundërshtuar nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë me pretendimet se këtij institucioni do t`i shkaktohej një dëm i pariparueshëm në rast se pezullohet vendimi për shtrenjtimin e energjisë.

Gjykata vlerësoi se ekzekutimi i vendimit të ZRRE-së do t`i shkaktonte dëm të pariparueshëm qytetarëve dhe se vendimi për pezullim është në interesin publik.

Tarifat e reja të energjisë kanë hyrë në fuqi më 9 shkurt 2022.

Kujtojmës se Zyra e Rregullatorit të Energjisë kishte vendosur që për konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kilovatë në muaj nuk do të ketë shtrenjtim të energjisë elektrike, pra të njëjtit do të paguajnë me tarifat aktuale.

Tarifa e ulët për konsumatorët që shpenzojnë nën 800 kilovatë është 2.89 centë (pa TVSh) në tarifën e ulët apo atë të natës kurse 6.75 centë (pa TVSh) në atë të lartën apo të ditës.

Ndërsa për kilovatët e shpenzuar mbi bllokun prej 800 kilovatë, tarifën e lartë apo atë të ditës konsumatorët do ta paguajnë me 12.5 centë ndërsa tarifën e ulët apo atë të natës do ta paguajnë me 5.9 centë./kallxo.com/