Zekaj nga IKD: ​ZRRE-ja e obliguar t’i pezullojë tarifat e reja të rrymës, në të kundërtën është vepër penale

Përkundër që Gjykata Themelore ka vendosur për pezullimin e tarifave të reja të energjisë elektrike, Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) ende nuk ka pezulluar vendimin për shtrenjtimin e rrymës.

Kjo e fundit ka paraparë ta ankimojë në Apel vendimin e gjykatës, dhe të vazhdojë aplikimin e shtrenjtimit të energjisë elektrike, ashtu sikur që është bërë prej 9 shkurtit e këndej.

Në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), kanë thënë se ZRRE-ja është e obliguar t’i pezullojë tarifat e reja, në të kundërtën sipas tyre, përbën vepër penale.

Reklama e sponzorizuar

Yll Zekaj, menaxher i programit në IKD thotë se ZRRE-ja nuk mund të inkasojë më tarifat e reja për kohën e ardhshme deri në një vendim meritor.

“Varet prej veprimeve të tyre, por çdo veprim në kundërshtim me vendimin e Gjykatës, është edhe vepër penale. Kështu që nuk e besoj që ZRRE-ja do të hynë në domenin penal, duke pasur parasysh që sfera penale kalon te personi juridik përveç personave fizik që bien ndesh me ligjin, bien edhe personi juridik, kështu që çdo mos respektim i gjykatës është vepër penale. Nuk e besoj që do të hynë ne sferën penale ZRRE, besoj që do ta respektojë vendin e gjykatës secili person fizik dhe juridik obligohet që të zbatojë vendimin e gjykatës. Me këtë rast edhe ZRRE-ja, ka mjetin juridik që është ankesa për të ankimuar këtë masë dhe pastaj është gjykata e shkallës së dytë përkatësisht Gjykata e Apelit me një vendim meritor në lidhje me masën derisa të trajtohet padia dhe forma meritore e vendimmarrjes për vendimin e ZRRE-së se i njëjti ka qenë i ligjshëm apo jo”, thekson Zekaj për KosovaPress.

Në anën tjetër, drejtues të ZRRE-së theksojnë se ankimi i bërë brenda afatit të përcaktuar me ligj pengon që aktgjykimi i Gjykatës të bëhet i formës së prerë dhe nuk është i ekzekutueshëm.

“Me lejoni t’iu informoj se ZRRE-ja, mbështetur në dispozitat ligjore të nenit 23 paragrafi 2 Nenin 49 paragrafi 1 dhe 2 lidhur me Nenin 63 të LKA-së, lidhur me Nenin 176 të Ligjit për Procedurën Kontestimore (Ligjin 03/L – 006) do të parashtrojë ankesë brenda afatit ligjor pranë Gjykatës së Apelit. Për informimin tuaj sipas Nenit 176 par. 2 të LPK-së, definohet se ankimi i bërë brenda afatit të përcaktuar me ligj pengon që aktgjykimi të bëhet i formës së prerë në pjesën e goditur me ankim. Përderisa kjo çështje pas ankesës së ZRRE-së, do të shqyrtohet nga Gjykata e Apelit, aktvendimi i shkallës së parë nuk bëhet i formës së prerë dhe praktikisht nuk është i plotfuqishëm dhe i ekzekutueshëm. Kjo është e definuar me Nenin 66 të Ligjit për Konfliktet Administrative ku përcaktohet se, vendimet e gjykatës mund të ekzekutohet atëherë kur bëhen të plotfuqishme dhe të ekzekutueshme”, thotë në një përgjigje me shkrim drejtori menaxhues në ZRRE, Petrit Pepaj.

Zekaj thekson se vendimi i ZRRE-së i miratuar më 8 shkurt nuk prodhon efekt juridik, derisa ekziston masa në fuqi.

“Me vendimin të cilin e ka marrë ZRRE-ja për ngritjen e tarifave, me këtë vendim është parashtruar masa e përkohshme, e cila i ka paraprirë një padie eventuale. Me këtë rast gjyqtari ka marrë vendim për caktimin e masës. Masa është aprovuar dhe si rezultat i kësaj më nuk kemi efekt juridik të vendimit të ZRRE-së. Vendimi i ZRRE-së nuk prodhon efekt juridik derisa ekziston masa në fuqi. Kështu masa e bllokon tarifimin e ri të ZRRE-së dhe ZRRE obligohet me këtë masë që të kthehet në gjendjen para vendimit derisa gjykata nuk vendos në mënyrë meritore nëse vendimi i ZRRE-së ka qenë i ligjshëm apo i kundërligjshëm. Masa nuk e paragjykon vendimin, vendimi mund të jetë edhe i ligjshëm, por tanimë kemi një masë të përkohshme, i cili nuk e lenë në funksion vendimin deri në vendosjen meritore”, thekson Zekaj.

Ai shtoi se ZRRE-ja e ka të drejtën e ankimimit në Apel, por kjo ankesë sipas tij, nuk e ndalon ekzekutimin e masës.

“ZRRE-së i lejohet mjeti juridik që është ankesa kundrejt këtij vendimi, por ankesa nuk e ndalon ekzekutimin e masës. Masa është në fuqi dhe masa si e tillë e ndalon efektin juridik të vendimit derisa të vendoset, nëse eventualisht ZRRE shtron ankesë, nëse shkalla e dytë e shfuqizon këtë masë apo e len në fuqi masën dhe kështu që kjo masë mbetet në fuqi derisa të vendoset në mënyrë meritore nga ana e gjykatës nëse vendimi i ZRRE-së ka qenë i ligjshëm apo i kundër ligjshëm”, thekson ai.

Sa i përket kompensimit të qytetarëve të cilët janë faturuar me çmimet e reja të energjisë elektrike, Zekaj thotë se nëse ka një konfirmim nga ana e gjykatës që vendimi ka qenë i kundërligjshëm, duhet të kompensohen të gjithë ata konsumatorë që kanë paguar më shtrenjtë energjinë elektrike.

“Tani në këtë moment kemi vetëm masë për veprimin e mëtutjeshëm, ZRRE nuk mund të inkasojë me tarifat e reja për kohën e ardhshme, kurse për dëmtimin e qytetarëve, nëse del që vendimi i ZRRE-së ka qenë i kundërligjshëm ajo (kompensimi) duhet të bëhet pas një shqyrtimi të padisë, pas marrjes së vendimit meritor nga ana e gjykatës. Pra, nëse kemi një konfirmim nga ana e gjykatës që vendimi ka qenë i kundërligjshëm, duhet të kompensohet i gjithë ai inkasim që është bërë me tarifa të larta, qoftë përmes kompensimit në faturat e ardhshme apo në mënyrat tjera që do t’i gjen ZRRE-ja për mënyrën e kompensimit të qytetarëve”, deklaron ai.

Ndërkaq, se a do t’i aplikojë tarifat e reja KEDS-i edhe për muajin prill, përkatësisht nga 9 prilli kur është marrë vendimi i Themelores, zyrtarë të saj, kanë thënë se kjo kompani është ekzekutive dhe lidhur me këtë çështje ZRRE-ja, është institucion vendimmarrës në sektorin e energjisë.

KEDS nuk ka dhënë përgjigje as sa i përket mundësisë së kompensimit të qytetarëve të cilët kanë paguar rrymën më shtrenjtë që nga 9 shkurti.

“KEDS është kompani ekzekutive. Lidhur me vendimet iu lutem drejtojuni ZRRE-së si rregullator dhe institucion vendimmarrës në sektorin energjetik, duke përfshirë edhe çështjet që ju i apostofoni”, thotë zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala.

Edhe profesori i ekonomisë, Muhamet Sadiku kërkon që vendimi i gjykatës duhet respektohet nga ana e ZRRE-së.

“Kosova duhet të veprojë si shtet ligjor, vendimet e gjykatave duhet të respektohen dhe s’ka rrugë tjetër. Sigurisht që parat të cilat janë marrë në mënyrë ilegale duhet t’iu kthehen konsumatorëve. Ajo që është brengosëse është, se Kosova vazhdon qe 20 vjet një pjesë e popullatës të paguajë konsumin e energjisë elektrike për pjesën veriore. Shtohet pyetje, kur Kosova do të jetë në gjendje që t’i shpërndajë faturat e shpenzimit të energjisë elektrike në familjet serbe në veri? Prandaj, jemi në pritje të këtyre veprimeve”, theksoi ai.

Përndryshe, më 8 shkurt të këtij viti bordi i ZRRE-së kishte marrë vendim që nga 9 shkurti 2022 t’i shtrenjtojë tarifat e energjisë elektrike për konsumatorët shtëpiak që harxhojnë më shumë se 800 kilovat në orë. 12.5 cent për tarifën e lartë dhe 5.9 cent për tarifën e ulët. /Telegrafi/