Është hapur edhe zyrtarisht pika e përbashkët e kalimit kufitar mes Kosovës dhe Shqipërisë në Dragash.
Kjo pikë kalimi, sipas paralajmërimeve do të jetë e hapur 24/7, në shërbim të qytetarëve, mjeteve dhe bartjen e mallrave jo-komerciale.
Pikëkalimi në Krushevë-Shishtavec ishte pjesë e marrëveshjes së nënshkruar në mbledhjen e dy qeverive.
“Ajo do të mundësojë lëvizjen e qytetarëve të shteteve të treta, do të rrisë ekonominë e vendeve tona e do të zhvillojë turizmin në malet e bukura të Sharrit”, ka thënë ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla.
Tani e tutje, mes Shqipërisë dhe Kosovës janë katër pika të shërbimit doganor.
Pika e përbashkët e kalimit kufitar Shishtavec (Kukës) – Krushevë (Dragash) do të jetë një pikë e kalimit kufitar që do të shërbejë edhe si pikë doganore dhe pa kufizime për shtetasit e ndryshëm që duan të lëvizin nga Shqipëria në Kosovë e anasjelltas.
Pikëkalimi kufitar Shishtavec – Krushevë dhe ajo Orgjost-Orqushë janë hapur në tetor të vitit 2003, pas arritjes së memorandum-bashkëpunimit në mes Qeverisë së Shqipërisë dhe UNMIK-ut.
Ndërsa ajo Borje-Glloboçicë është hapur në qershor të 2009-s pas marrëveshjes mes Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë. Këto pika të kalimit kufitar kanë shërbyer vetëm për këmbësorët që janë banorë lokalë në të dyja anët e kufirit në një distancë prej 15 kilometrash nga pika kufitare.
Ndërkohë, më 16 prill të vitit 2013, në Tiranë, ministrat e brendshëm të Kosovës dhe të Shqipërisë nënshkruan marrëveshjen që pikat e kalimit kufitar Borje – Glloboçicë; Orgjost –Orqushë dhe Shishtavec – Krushevë të funksionojnë si një qendër e përbashkët e bashkëpunimit policor.
Konkretizimi i kësaj marrëveshjeje u arrit më 10 maj të vitit 2013, ku në pikëkalimin kufitar Shishtavec-Krushevë lejohej edhe qarkullimi i automjeteve.
Pika e kalimit të përbashkët Shishtavec-Krushevë është e vendosur në territorin e Shqipërisë në rajonin e piramidës D18. Aktiviteti i pikëkalimeve të përbashkëta kufitare bazohet në legjislacionin respektiv të të dyja vendeve, rekomandimet e BE-së, Kodin Shengen, si dhe në praktikat më të mira ndërkombëtare.
Në kufirin Shqipëri-Kosovë, me një gjatësi prej 111.8 kilometrash, aktualisht ekzistojnë gjashtë vendkalime kufitare, ku tri prej tyre janë në zonën e Gorës. Zona e Gorës në rrethin e Kukësit ka një popullsi prej 14 mijë e 500 banorësh.
Nga gjashtë vendkalime kufitare, tashmë katër prej tyre janë të miratuara edhe si pika doganore, ku vetëm ajo Morinë-Vërmicë është e kategorisë së parë.
Ndërsa, pika doganore e Qafë-Prushit në Has dhe e Qafë-Morinës në Tropojë janë të kategorisë së dytë, ndërsa Shishtavec-Krushevë e kategorisë së tretë.
Sveçla ka thënë se Qeveria synon që së shpejti të finalizojë edhe marrëveshje për banorët e brezit kufitar.
“Çdo iniciativë për të eliminuar barrierat që mund të hasin shqiptarët do të ketë angazhimin tonë maksimal. Çdo sfidë që mund të hasë Shqipëria, në krah e ka gjithmonë Kosovën. Bashkë ndajmë historinë, sfidat e krenarinë”, ka shkruar ai në Facebook.