Minierat e kompleksit të Kishnicës (Kishnica, Hajvalia, Badovci dhe Artana) para 5 muajsh ndodheshin të përmbytura nën ujë, ndërsa infrastruktura përcjellëse, flotacioni dhe ndërtesat e administratës, gati të rrënuara nga mungesa e investimeve dhe përkujdesjes shtetërore për këto 23 vjet nga paslufta. Po në këtë gjendje, të mjerueshme pra, të përmbytura, të katandisura egërsisht dhe të stërkequra nga moskujdesi total i dorës së shtetit dhe të pushtetit, i gjeti edhe ekipi i Buletinit Ekonomik këto miniera, të premten, më 6 maj.
Mehmet GJATA
Janë bërë saktësisht 5 muaj e dhjetë ditë qëkur ekipi i Buletinit Ekonomik kishte vizituar katër minierat e kompleksit të minierave në Kishnicë (Minierën e Hajvalisë, atë të Kishnicës, të Badovcit, sikundër edhe minierën e Artanës, ku ende punohet vetëm në dy horizonte për shkak të përmbytjeve të horizonteve të tjera), dhe që në mënyrë më komplekse dhe të gjithanshme kishte trajtuar gjendjen e mjerueshme të këtyre xeheroreve.
Këto miniera para 5 muajsh e dhjetë ditësh, ndodheshin ende të përmbytura nën ujë, ndërsa infrastruktura përcjellëse, flotacioni dhe ndërtesat e administratës, gati janë të rrënuara nga mungesa e investimeve dhe përkujdesjes shtetërore për këto 23 vjet nga paslufta. Po në këtë gjendje, të mjerueshme pra, të përmbytura, të katandisura egërsisht dhe të stërkequra nga moskujdesi total i dorës së shtetit dhe të pushtetit, i gjeti i njëjti ekip i Buletinit Ekonomik këto miniera, të premten, më 6 maj.
As kjo qeveri, tash e 14 muaj, qëkur ka nisur qeverisjen e vendit, sikundër edhe ato parapraket, që nga qeveria e përkohshme e deri te kjo e parafundit, as Qeveria Hoti, nuk e ktheu asnjëherë të vetme kokën kah këto miniera, të dëshmuara për shtresa të pasura xehesh të plumbit dhe zinkut, madje me përmbajtjen më të pasur të xehes në rajon dhe më gjerë, siç ishte xeherorja e Hajvalisë, ku shtresat e xehes kanë përmbajtur metal edhe deri në 9 për qind.
Minierat tona, dikur buka jonë dhe krenaria jonë, praktikisht janë lënë dhe vazhdojnë të lihen nën mëshirën e fatit, të brejtjes së kohës, të vërshimeve dhe të dëmtimeve të tjera ordinere, që nuk kanë ndodhur në asnjë vend tjetër të botës.
Thjesht nuk ka ndodhur kurrë kjo papërgjegjësi e skajshme institucionale ndaj pasurive nëntokësore, në asnjërin nga shtetet që pak a shumë kanë kaluar tranzicionin nga sistemi socialist në atë kapitalist tërësisht ngjashëm me ne. Por ndodhi te ne, në Kosovën e pavarur, të lirë, të ëndërruar nga breza e breza.
Trandet njeriu kur i sheh për së afërmi pasojat e dëmeve të shkaktuara, më shumë nga mosinteresimi total i institucioneve shtetërore, neglizhenca e skajshme për to nga ata që e kanë detyrë dhe përgjegjësi përkujdesjen për minierat në përgjithësi, dhe domosdo për minierat më premtuese të plumbit dhe zinkut të Kosovës, dhe tmerrohesh nga përmasat e frikshme të dëmeve.
Në këtë gjendje, pranë kolapsit total, ndodhen edhe sot, 5 muaj e dhjetë ditë pas trajtimit të fundit të gjendjes katastrofike të katër minierave të kompleksit të minierave në Kishnicë, të katërtat të përmbytura nën ujë që nga përfundimi i luftës, ndërsa infrastruktura përcjellëse, flotacioni dhe ndërtesat e administratës, gati janë të rrënuara nga mungesa e investimeve dhe përkujdesjes shtetërore për këto 23 vjet nga paslufta.
Të gjitha horizontet e minierave të Kishnicës janë të përmbytura nën ujë. Nuk punon fare qe 20 e sa vjet Miniera e Hajvalisë, xeherore e veçuar për nga përqindja më e lartë e metaleve në trupin minerar. Nuk punon fare që nga 2000-ta as Miniera e Kishnicës, as ajo e Badovcit, as miniera sipërfaqësore e plumbit dhe zinkut në afërsi të drejtpërdrejtë të Minierës së Kishnicës, ndërsa punon vetëm pjesërisht Miniera e Artanës (Novobërdës së dikurshme), dhe atë vetëm në horizontet 4 dhe 5, pasi që horizontet e tjera, gjashtë-shi, shtatë-shi dhe tetë-shi, janë të përmbytura nga uji, ndërsa këto horizontet e fillimit kaherë janë jashtë funksionit për shkak se xehja që kanë përmbajtur këto horizonte, kaherë është eksploatuar.
Buletini Ekonomik pati shpjeguar e sqaruar deri në detaje shkaqet dhe arsyet pse nuk punuan dhe pse vazhdojnë të mos punojnë sot e kësaj dite këto miniera qe 23 vjet. Dhe këto shkaqe janë banale, të bëjnë për ta kapur kokën. Për shkak të mungesës së një pompe apo disa pompave për pompimin e ujit, kanë mbetur tani e 23 vjet të përmbytura këto miniera.
“Mungojnë pompat që 23 vjet për nxjerrjen e ujit nga horizontet, minierat janë dëmtuar goxha shumë nga uji, nuk ka pasur investime asnjëherë”, i pati thënë Bislim Fetahu, Drejtor i Njësisë Biznesore Kishnicë-Artanë, Buletinit Ekonomik, i ulur në zyrën e tij në një objekt tjetër pranë atij të flotacionit, po ashtu në gjendje të rëndë.
Ndërsa, ish-inxhinierë të xehetarisë dhe ish-udhëheqës të kësaj miniere, për Buletinin Ekonomik rrëfejnë se nuk kanë lënë derë pa trokitur, që nga ditët e para pas luftës, për të kërkuar sigurimin e kësaj pompe. Por, siç thonë ata, edhe pse çmimi i pompës nuk ishte fare i papërballueshëm për financat që kanë pasur në dispozicion institucionet e vendit edhe në ato vite, vendimmarrësit e proceseve zhvillimore, pra edhe ata që e kishin për detyrë përkujdesjen për mbarëvajtjen e procesit të punës në minierat e vendit, nuk dëgjuan asnjëherë që t’i qasen këtij problemi, që realisht ishte lehtësisht i përballueshëm.
Dhe pompat, por tani edhe ndonjë investim tjetër për pasoja të dëmeve të mëdha nga përmbytja dhe për ripërtëritjen e pajisjeve të domosdoshme për miniera, vazhdojnë të mungojnë ende, shpjegon i mllefosur drejtori.
Nuk ka asnjë zhvillim rreth investimeve për sanimin e dëmeve, largimin e ujërave nga horizontet e përmbytura të minierave të sipërpërmendura dhe për përtëritjen e mekanizmit të stërvjetëruar në to, thotë drejtori i Kishnicës. Tani, pas kaq shumë vitesh pezullim të dhunshëm të minierës së Hajvalisë (për pasojë kryekëput të përmbytjes me ujë), vetëm me largimin e ujërave nga miniera, nga horizontet e saj, nuk kryhet e gjithë puna për riaktivizimin e Hajvalisë së pasur me xehe plumbi dhe zinku.
Përmbytja për një kohë kaq të gjatë, pothuaj mbi 2 dekada, lë pasoja të shumta. Duhet lënë të thahen horizontet pas zbrazjes nga ujërat për një kohë, një ose dy vjet së paku, duhet parë a ka ndonjë shembje, apo rrezik potencial për shembje pas kësaj përmbytjeje të gjatë dhe duhet ripërtërirë mekanizmi dhe makineria e dëmtuar nga korezioni dhe dëmtimet e tjera.
Por të gjitha këto, sipas inxhinierëve të këtushëm, bëhen, madje me një kosto fare të përballueshme edhe për buxhetin e vobektë të Kosovës. Por duhet të bëhen llogaritë e sakta dhe të ekzistojë vullneti edhe politik edhe institucional, që kjo punë të bëhet.
Riaktivizimi i këtyre minierave, e sidomos i asaj të Hajvalisë ka përfitime ngazëllyese edhe për qytetarët e kësaj ane, edhe për Trepçën, edhe për institucionet, edhe për mbushjen e arkës së shtetit me fitime të mira edhe për punësimin e qindra punëtorëve të rinj.
“Për minierat e Kosovës, këto të plumbit dhe zinkut, nuk interesohet askush nga autoritetet zyrtare. Këtu, në Kishnicë, por as në Artanë, Hajvali e Badovc, nuk e mbanë njeri ndër mend që ka qenë ndonjëherë ndonjë zyrtarë i shtetit tonë në vizitë, për t’u interesuar për problemet, hallet dhe gjendjen në të cilën janë katandisur këto miniera. Kanë vizituar Artanën përfaqësues qeveritarë para ca kohësh, me rastin e ndodhjes së një fatkeqësie tragjike, ku humbën jetën 2 punëtorë, por edhe me rastin e asaj vizite, as që denjuan që të takohen me punëtorë dhe me personelin udhëheqës, që ditë e natë përkujdesen sa kanë mundësi për t’i ruajtur stabilimentet e mbetura akoma në punë dhe për të vazhduar prodhimin aty ku ka mundësi”, rrëfejnë të rezignuar zyrtarë të Kishnicës, të cilët duan të mbeten anonim.
Dikur në vitet e para pas luftës, një pompë e këtillë fare lehtë ka mundur të sigurohet për 30 mijë marka gjermane, e shumë shumë me 50 mijë sosh. Prandaj, sot nga numri i madh i xeheroreve (12 sosh gjithsej, prej tyre 8 të metaleve, më saktësisht të plumbit dhe zinkut, dhe 4 miniera të jometaleve) që kanë funksionuar deri në vitet e luftës, në procesin e punës gjenden vetëm 4 miniera të plumbit dhe zinkut: Stantërgu, Artana (Novobërda) pjesërisht, dhe xeheroret: Bello Bërdo dhe Cërnac, në pjesën veriore të Kosovës (mu në kufirin me Serbinë). Në këtë mënyrë, statusi aktual i këtyre minierave pra është aktiv.
Ndërsa, që nga paslufta, praktikisht janë mbyllur, ose nuk punojnë fare Miniera e Hajvalisë, ajo e Kishnicës, e Badovcit, sikundër edhe miniera sipërfaqësore në afërsi të Kishnicës, sikundër që nuk punojnë kaherë Deva, Karaqeva, minierat e magnezitit në Golesh dhe në Strezovc dhe Miniera e boksiteve në Klinë.
Ndërsa, dihet dhe është evidente se përgjegjësinë për këtë moskujdesje të skajshme ndaj kësaj pasurie të vendit, e kanë qeveritë njëra pas tjetrës që nga paslufta.
Por, xehetarët me përvojë thonë se nuk mund të amnistohet as Qeveria aktuale, kjo Kurti 2, që po tregohen inferior karshi minierave. Tashmë, nuk mjafton vetëm të fajësohen qeveritë e deritashme. Qeveria aktuale, ministritë përgjegjëse për minierat, duhet të nisin punët, madje pa humbur kohë, që të vendoset për fatin e minierës së Hajvalisë në radhë të parë dhe të Kishnicës, Badovcit e Artanës.
Ndërsa, zgjidhja nuk është edhe aq e komplikuar, sipas minatorëve. Ato duhet fillimisht të pastrohen nga ujërat dhe pastaj të sigurohen pajisjet e domosdoshme për eksploatimin e xehes së plumbit dhe zinkut në këto vendburime aq premtuese minerare dhe të fillojë puna. Sa më shumë të stërgjatet moskujdesi institucional ndaj këtyre minerave, do të rriten pasojat e dëmtimeve brendapërbrenda horizonteve të përmbytyra nga ujërat, dhe natyrisht, do të rritet shuma e investimeve të domosdoshme për rimëkëmbjen e tyre. /Buletini Ekonomik/