Administrata Tatimore e Kosovës ka njoftuar se trajektorja e lëvizjes së të hyrave të ATK-së nga rreth 42.9 milionë euro, që kishte tejkaluar të hyrat për tre muajt e parë, ka shënuar rritjen tjetër, ku vetëm për katër muajt e parë të këtij viti janë inkasuar 269.4 milionë euro tatime, që në krahasim me vitin e kaluar kemi rritje për 68.5 milionë euro apo 34.1%.
“Tejkalim të të hyrave ATK nuk ka vetëm në raport me vitin paraprak, por edhe në krahasim me planin, ku rritja e të hyrave në raport me planin ka shkuar në 39.5 milionë euro apo 17.2%. Të gjitha këto statistika janë reflektim i madh në zvogëlimin e hendekut tatimor, pasi që çdo rritje e inkasimit nënkupton zvogëlim të hendekut tatimor”, thuhet në njoftim.
Më tej në njoftim thuhet se pavarësisht këtij trendi rritës të të hyrave, ATK është duke punuar fuqishëm në identifikimin e çdo rasti, i cili i shmanget obligimeve tatimore siç parashihet me legjislacionin tatimor.
“Kjo është duke u realizuar përmes projekteve të fundit, të cilat në fokus të trajtimit kanë të gjithë tatimpaguesit/bizneset të cilat sipas analizës së riskut kanë rezultuar si tatimpagues me risk të lartë për evazion fiskal, si në deklarimin dhe pagesën e tatimeve, në regjistrimin e punëtoreve si dhe mos-pajisje me arke fiskale dhe mos-lëshimin e kuponëve fiskal”, thuhet në njoftim.
Në rritjen e të hyrave, gjithashtu rol të rëndësishëm ka luajtur rritja e llogaridhënies dhe e përgjegjësisë te stafi, rritja e inkasimit të mbledhja e borxheve, lehtësirat për tatimpaguesit në deklarimin dhe pagesën e tatimeve.
Institucioni i ATK-së çdoherë e ka konsideruar si “inspektor” më të mirin qytetaret, të cilët përmes raportimeve për çdo parregullsi tatimore të hasur, kanë arritur që të krijojnë partneritet të fortë me ATK-në. /Telegrafi/