Shqipëria ka njohur një rritje të shkëmbimeve tregtare me Maqedoninë e Veriut. Referuar të dhënave të publikuara nga INSTAT, eksportet e Shqipërisë në 4 muajt e parë të vitit ishin 6.1 miliardë lekë, duke u dyfishuar në krahasim me një vit më parë.
Por çfarë ka eksportuar më shumë Shqipëria gjatë këtyre 4 muajve në Maqedoninë e Veriut?
Nëse analizojmë në mënyrë të detajuar të dhënat e tregtisë, rezulton se ndikimin më të madh në këtë rritje e kanë pasur zarzavatet dhe frutat si dhe pijet dhe alkooli që kanë njohur një rritje të konsiderueshme si në peshë, ashtu edhe në vlerë.
Në Maqedoninë e Veriut, Shqipëria ka eksportuar gjithashtu peshk, pemë dhe bimë, kafe, çaj e erëza, kripëra , gëlqere e çimento, lëndë djegëse e minerale, produkte farmaceutike, bojëra e produkte kimike etj.
Edhe importet kanë njohur rritje këtë vit, më së shumti në vlerë, edhe për faktin se e gjitha bota është prekur nga rritja e çmimeve.
Referuar të dhënave të Instat, rezulton se këtë vit, vlera e eksporteve të Shqipërisë ka qenë 4.8 miliardë lekë, duke njohur një rritje me 1.1 miliardë lekë më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar.
Ndikim në rritjen e vlerës së importeve kanë pasur mallra si farat vajore e bimët industriale, kakao, pijet, plastika, giza dhe çeliku, etj./Scan Tv/