Deputetët e Kuvendit të Kosovës në seancën e djeshme të Kuvendit, kanë formuar Organin Përzgjedhës të Pavarur për përzgjedhjen e anëtarëve në Organin Shqyrtues të Prokurimit.
Opozita nuk mori pjesë në këtë votim, ndërsa pro votuan 69 deputetë të LVV-së, Listës Serbe dhe nga komunitetet të tjera jo shumicë.
Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi tha se Qeveria Kurti është bërë pjesë e një afere korruptive në OSHP me tender një burimor.
Ai tha se e njëjta nuk ka respektuar as procedurën e përzgjedhjes së anëtarëve me konkurs, derisa ironizoi edhe me qëndrimin e kryeministrit Kurti në SHBA.
“Qeveria është pjesë një afere korruptive me tender njëburimor, ky është problemi që e ka ky vend. Çka ka ndodhur sot, një orë para se të fillojë kjo pikë e rendit të ditës, qeveria online, kryeministri prej Uashingtoni, a ku është, e ka ndalë Conter Strike dhe e ka ndërruar një emër se cili do të shkojë para panelit përzgjedhës”, tha ai.
Ndërsa, deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa, i kërkoi ekzekutivit që t’i tërheq emrat për anëtarët e OSHP-së.
“Qeveria t’i tërheqë këto propozime, të shkojë me procedura të shpejta ose me konkurs. Mendoj se s’ka rrugë tjetër që të zgjidhen anëtarët dhe kandidatët që plotësojnë kriteret në organin shqyrtues të prokurimit”, deklaroi ai.
Tutje, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri tha se Qeveria me vetëdije të plotë e ka shtyrë procesin e emërimit të bordit të OSHP-së.
Anëtarët që u votuan për përzgjedhjen e anëtarëve të OSHP-së janë: Rrustem Thaçi nga Gjykata Supreme, Françiska Zhitia-Imeri nga Gjykata e Apelit dhe Nikolla Petronjeviq nga Gjykata Themelore në Mitrovicë.