Haxhiu prezanton Projektligjin për tërheqjen e mjeteve nga Trusti

Bekim Haxhiu, deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, ka prezantuar sot para anëtarëve të Komisionit për Buxhet, Financa dhe Transfere, projektligjin për tërheqjen e një pjese të kursimeve pensionale në Trust.

Haxhiu shtoi se një tërheqje e tillë e mjeteve, është nevojë urgjente e qytetarëve të Kosovës, të cilët janë duke u përballur me krizë ekonomike, energjetike e rritje çmimesh të produkteve esenciale.

“Qytetarët e Kosovës janë duke u përballur me krizë që nga viti 2020 nga pandemia COVID-19, kriza energjetike dhe ajo e çmimeve, andaj kemi propozuar ndryshimin e Ligjit të Trustit për tërheqje nga 10 për qind deri 30 për qind për ata që kanë nevojë”, tha Haxhiu.

Reklama e sponzorizuar

Sipas projektligjit të prezantuar nga PDK-ja, sa më të vogla të jenë kursimet pensionale në Trust, përqindja e tërheqjes duhet të jetë më e madhe.

“Pjesëmarrësit mund t’i tërheqin kursimet nën 10 mijë euro kanë të drejtë t’i tërheqin deri 30 për qind, ata që kanë deri 19 mijë euro kanë të drejtë t’i tërheqin deri 25 për qind. Kurse ata që kanë deri 29 mijë euro kanë të drejtë t’i tërheqin deri 20 për qind dhe për ata që kanë deri 39 mijë euro kanë të drejtë t’i tërheqin deri 15 për qind. Më shumë se 40 mijë euro kanë të drejt t’i tërheqin deri 10 për qind”, ka treguar ai.

Ndërkohë, sipas këtij projektligji, gjashtë muaj pas tërheqjes së kursimeve, Ligji në fjalë do të shfuqizohet. /Buletini Ekonomik/