Qytetarët në Kosovë kanë të drejtë, sipas ligjit për Tatimin në Pronën e Paluajtshme, që të përfitojnë nga zbritja për vendbanimin parësor, nëse personi në fjalë posedon dy ose më shumë objekte banuese.
Zbritja në këto raste mund të arrijë deri në shumën e 15 mijë eurove, nga vlera e vlerësuar e njësisë së objektit, përcjell Buletini Ekonomik.
Por, në komunën e Mitrovicës së Jugut është identifikuar një rast ku tatimpaguesi ka pasur të evidentuara si venbanime parësore gjithsej 24 objekte. Si rrjedhojë, ai kishte përfituar nga zbritja për tatimin në pronë për të 24-tat objekte, pasi i kishte regjistruar që të gjitha si vendbanime parësore.
Zyra Kombëtare e Audititmit (ZKA) në raportin e saj auditues për Mitrovicën e Jugut, ka konstatuar se kjo gjetje është bërë përmes numrit personal të tatimpaguesit.
“Gjatë analizës së bazës së dhënave të tatimit në pronë, janë identifikuar disa raste të tatimpaguesve të cilët kanë të evidentuara si vendbanim të tyre parësor dy e më shumë objekte banimi, (një tatimpagues kishte të regjistruara 24 objekte si vendbanime parësore)”, thuhet në raportin e ZKA-së.
Sipas Ligjit Nr. 06/L-005 Për Tatimin në Pronën e Paluajtshme, Neni 11, Zbritja për Vendbanimin Parësor, midis tjerash përcakton se “personi fizik i cili ka në pronësi apo posedim dy (2) ose më shumë njësi rezidenciale të objekteve, mundet vetëm njërën prej këtyre objekteve ta deklarojë si vendbanim të tij parësor, me ç’rast i lejohet zbritja prej pesëmbëdhjetë mijë eurove (15,000€) nga vlera e vlerësuar e gjithë njësisë së objektit”.
Auditori i Përgjithshëm thekson se në këtë komunë, situata është edhe më tej serioze, pasi më shumë se 4,000 tatimpagues të prezantuar në Bazën e të dhënave, nuk i kanë të prezantuar numrat personal, të cilët në bazë të emrave, mbiemrave dhe emrit të prindit, mund të jenë përfitues të disahershëm nga zbritja e lejuar ligjore.
Sipas ZKA-së, kjo ka ndodhur si pasojë e mos verifikimit të pronave në fjalë dhe mos azhurnimit të shënimeve në sistemin e tatimit në pronë.
Ndërkohë, përfitimi i disahershëm i zbritjes për vendbanim parësor përveç që është i paligjshëm dhe i padrejtë, ZKA-ja vlerëson se mund të nxisë që edhe tatimpaguesit tjerë që të veprojnë njëjtë, meqenëse komuna nuk ka ndërmarrë ndonjë masë monitoruese apo ndëshkuese për ta parandaluar këtë fenomen.
Nga ZKA-ja rekomandojnë se kryetari i komunës së Mitrovicës duhet të ndërmarrë veprime të menjëhershme të identifikimit të të gjithë përfituesve të disahershëm të zbritjes së vendbanimit parësor dhe t’i ndërmarrë masat ligjore, si dhe të plotësojë bazën e të dhënave me të gjithë numrat personal të tatimpaguesve, në mënyrë që të verifikohen të gjitha rastet. (M.Shabani)/Buletini Ekonomik/