Prej të premtes, shoferët e huaj në Hungari do të paguajnë çmim më të lartë për naftë, në krahasim me shtetasit hungarezë.
Dekreti për këtë çështje është shfaqur në Gazetën Zyrtare, të enjten, pak para mesnatës.
Sipas dekretit, makinat me targa të huaja nuk do të mund të furnizohen me çmimin fiks prej 1.32 eurosh për një litër naftë, por do të paguajnë çmimin e tregut.
Sipas raportimeve në media, ky çmim është mesatarisht 40 për qind më i lartë sesa ai për banorët.
Qeveria e nacionalistit të krahut të djathtë, Viktor Orban, ka vendosur çmim fiks për naftën në nëntor të vitit të kaluar.
Rregullorja, e cila është e vlefshme deri më 1 korrik, ka pasur synim që të garantojë që shoferët hungarezë të mos përballen me rritjen globale të çmimeve.
Deri më tani, edhe shoferët e huaj kanë mundur të furnizohen me naftë në Hungari sipas çmimit fiks.
Megjithatë, përfaqësuesit qeveritarë kanë marrë vendim të enjten që tani e tutje për të huajt do të zbatohet çmimi i tregut.
Sipas raportimeve në media, të enjten në mbrëmje janë krijuar radhë të gjata para pompave të naftës afër kufijve të Hungarisë me Austrinë dhe Sllovakinë, sepse shumë të huaj kanë synuar që të furnizohen sipas çmimit fiks.
Trajtimi ndryshe i shtetasve hungarezë, në krahasim me banorët e vendeve tjera të Bashkimit Evropian, ka rritur shqetësimet nëse Hungaria, si vend anëtar i BE-së, nuk po shkel ndalesën e BE-së për diskriminim./REL/