Ish-kryetari i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës ka përmendur dy arsye pse sipas tij janë rritur çmimet e produkteve në tregun vendor.
E para arsye sipas tij është se mund të jenë rritur kërkesat por jo edhe furnizimi, ndërsa arsye të dytë ka përmendur furnizuesit e tregut me produkte që mund të jenë marrë vesh në mënyrë të bashkërenduar për t’i rritur çmimet.
“Çmimet e produkteve bazë ushqimore po rritën, gjithashtu veçse janë rritë çmimet e disa produkteve ndërtimore (armatura, betoni etj). Kjo rritje e çmimeve të këtyre produkteve mund të ndodh për dy arsye, arsyeja e parë është e logjikshme dhe objektive dhe arsyeja e dytë është e jashtëligjshme”, ka shkruar Prestreshi në rrjetin social Facebook.
“Për të parën, çmimet rriten sepse kërkesa mund të jetë e njëjtë siç ishte ndërsa furnizimi apo oferta është zvogëluar, dhe parimet e mikroekonomisë e tolerojnë një lëvizje të tillë, duke i pasur parasysh rritjen e variablave tjera deri në ekuilibër. Për të dytën, lojtarët të cilët e furnizojnë tregun me këto produkte, mund të jenë marr vesh në formë të shkruar apo të bashkërenduar për rritje dhe kufizim të çmimeve”.
Tutje, ai ka thënë se AKK-ja është organi i vetëm shtetëror që mund ta konstatojë njërën apo tjetrën.
“Nëse varianti i hipotezës së dytë është duke ndodhë, kjo mund të jetë si rezultat i mos funksionalizimit të Autoritetit Kosovar të Konkurrencës. Sido që është, uroj që nuk ka ndonjë kartel të tillë, sepse me rastin e funksionalizimit të AKK-së, institucioni ligjërisht ka të drejtë të kthehet mbrapa 5 vjet, dhe t’i hetoi pretendimet e ngritura nga të gjithë”.