Në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere sot është diskutuar rreth emrave të kandidatëve për një anëtar joekzekutiv në Bordin e Bankës Qendrore të Kosovës.
Kuvendit të Kosovës i janë propozuar pesë kandidatë për një anëtar jo-ekzekutiv në Bordin e BQK-së, nga paneli i formuar për përzgjedhjen e këtij anëtari joekzekutiv.
Emrat e propozuar për këtë pozitë janë: Arta Hoxha, Esida Bujupi, Lulzim Ismajli, Nexhat Kryeziu dhe Nora Rraci, përcjell Buletini Ekonomik.
Gjatë diskutimit, anëtarët e këtij Komisioni, nga radhët e partive opozitare kërkuan sqarime shtesë rreth përvojës së punës së kandidatëve, performancës së tyre dhe rreth arsyeshmërisë se pse janë përzgjedhur për këtë pozitë.
Avdullah Hoti, deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës, shprehi shqetësimin e tij rreth njërës kandidate për këtë pozitë, duke thënë se kandidatja në fjalë nuk ka përvojë pune 10 vjeçare në institucione financiare, siç kërkohet me ligjin e BQK-së për përzgjedhje në këto pozita. Përveç kësaj, ai tha se e njëjta aktualisht është edhe zyrtare e jashtme e njërit Komitet në Zyrën e Kryeministrit.
Sipas Hotit, për t’u përzgjedhur në këtë pozitë, sipas ligjit, kandidati nuk duhet që të jetë pjesë e asnjë partie politike, zyrtar i qeverisë e as i ndonjë prej ministrive, përcjell Buletini Ekonomik.
Ndërkohë, kryetari i Komisionit për Buxhet, Armend Muja, iu tha anëtarëve të komisionit se të gjitha komentet t’i dërgojnë në administratën e Kuvendit, rreth arsyeshmërisë se pse secili kandidat është përzgjedh për këtë pozitë. Ai i konsideroi këto kërkesa valide dhe të njëjtat sipas tij duhet të shqyrtohen.
Ndryshe këta pesë kandidatë do të dërgohen për votim në Kuvendin e Kosovës dhe vetëm njëri prej tyre do të përzgjedhet. Pas votimit, kandidati i cili fiton më së shumti vota, do t’i i dërgohet edhe presidentes së vendit për miratim.
Votimi i këtyre kandidatëve në Kuvendin e Kosovës, do të bëhet me votim të fshehtë. /Buletini Ekonomik/