Kosova ka mbi 650 kompani në fushën e teknologjisë së informacionit

Fotografi ilustruese

Kosova ka mbi 650 kompani në fushën e teknologjisë së informacionit, shumica e të cilave shërbejnë edhe në tregjet e jashtme.

Këtë të dhënë e bëri publike, në ekspozenë e tij kryeministri i Kosovës Albin Kurti, në Forumin e Bizneseve të Diasporës, të mbajtur javën e kaluar në Prishtinë.

“Gjatë vizitës në Çikago isha dëshmitar i një kompanie që kishte punëtorë më shumë në Kosovë, se në SHBA”, tha ai me këtë rast.

Reklama e sponzorizuar

Sipas kreut të ekzekutivit të vendit, pozita gjeografike e Kosovës, aeroporti modern, infrastruktura rrugore dhe afërsia e porteve, e bëjnë Kosovën vend të volitshëm tregtar e transportues, ndërsa thekoi se po punojnë që të modernizohen edhe hekurudhat dhe të shtohet potenciali transportues.

“Popullsia e re, profesionale që flet gjuhë të huaja, teknologjia e përparuar, qasja në internet e qiraja e ulëta, e bëjnë vend për investime”, tha kryeministri me këtë rast.

Forumi i Bizneseve të Kosovës, siç dihet, ishte bashkë-organizim i Rrjetit të Bizneseve Shqiptare në Evropë, projektit Kosovo Complete i USAID-it dhe organizatës Germin. /Buletini Ekonomik/