Muaji maj është përcaktuar ndërkombëtarisht si muaji i ndërgjegjësimit për auditimin e brendshëm, një nga funksionet e “prapavijës” së çdo organizate, por i rëndësishëm për rolin që luan në të.
Siç është shprehur Riçard Braun, historian i kontabilitetit (1905) “Sa herë që përparimi i qytetërimit ka bërë të nevojshme që një personi t’i besohet, në njëfarë mase, prona e një tjetri, del qartazi në pah se është e këshillueshme të vendoset njëfarë kontrolli mbi besnikërinë e këtij personi”. Mbi këtë arsyetim bazohet ngritja dhe funksionimi i auditimit të brendshëm.
Evoluimi i auditimit të brendshëm, si profesion, ka ndodhur paralelisht me progresin e bërë në shkencat e administrimit, sidomos pas Luftës së Dytë Botërore, për t’u kthyer sot në një nga elementet e rëndësishme të organizatës. Një profesion, që në konceptin modern të tij, në tregun shqiptar hyri pas viteve ’90, por që ende ka vëmendje dhe kuptueshmëri të pakët mbi dobinë e tij.
Këtë funksion, më së shumti, e gjejmë të ndërtuar në organizata, që u përkasin sektorëve të cilëve u imponohet me ligj ekzistenca e auditimit të brendshëm, siç janë institucionet e sektorit shtetëror, apo institucionet financiare.
Në pjesën tjetër të ndërmarrjeve, ky profesion po e gjen hapësirën këto vitet e fundit, i diktuar nga nevoja që ndiejnë pronarët apo administratorët për njëfarë “funksioni të pavarur kontrolli”, por ende pa u kuptuar mirë se çfarë përfaqëson, si duhet të funksionojë dhe çfarë vlere të shtuar ka për organizatën. Për rrjedhojë, auditimi i brendshëm, sot, përballet me dy sfida madhore.
Sfida e parë lidhet me pranimin me ritëm më të përshpejtuar të këtij funksioni në organizata, kryesisht ato të biznesit. Ngritja e funksionit, vetëm kur bëhet i nevojshëm, ka përparësinë se krijon një ambient të favorshëm për zhvillimin e tij. Por, nga ana tjetër, kjo qasje ka të metën se vonon procesin e plotësimit të kuadrit qeverisës me kohë, përpara se problemet të jenë shtresëzuar.
Në raste të tilla krijohet edhe rreziku që auditimi i brendshëm të konceptohet si shkopi magjik që zgjidh me shpejtësi problemet, gjë që krijon ngërçe në praktikë dhe, padyshim, pengon evoluimin normal dhe të standardizuar të profesionit. Ndërsa në organizatat ku funksioni imponohet me ligj, sfida zhvendoset më tepër në nevojën e krijimit të kulturës së mirëkuptimit dhe bashkëpunimit me auditimin e brendshëm, gjë që e lejon këtë të fundit të jetë më efektiv dhe më i dobishëm për organizatën në tërësi.
Pa përmendur që në Shqipëri, jo rrallë, auditimi i brendshëm ushtrohet në raste ekstreme, në të cilat përballet me ambient armiqësor që rëndom krijohet në organizatat e korruptuara. Në të tilla raste, sfida merr formën e luftës për të ruajtur integritetin e profesionit.
Sfida e dytë lidhet me ofertën në treg të profesionistëve, pra të audituesve të brendshëm. Tregu në Shqipëri për të tillë profesionistë vuan nga dy aspekte, si nga mangësia në sasi, ashtu edhe në përvojë.
Jo për faj të individëve që kanë zgjedhur të punojnë apo aspirojnë të punojnë si auditues të brendshëm, por më tepër për shkak të kërkesës së tkurrur që kanë shfaqur, deri më sot, organizatat në Shqipëri për të punësuar auditues të brendshëm. Kjo ka lënë të pazhvilluara njohuritë për auditimin e brendshëm, si dhe ka kufizuar krijimin në vend të programeve apo institucioneve trajnuese sistematike.
Njëherësh, vetë audituesit e brendshëm, për aq sa janë formuar në tregun shqiptar, kanë të nevojshme të përpiqen për të përmirësuar reputacionin e profesionit, për të rritur shkallën e pranueshmërisë së tyre, duke rritur cilësinë e punës, njohuritë dhe duke treguar që janë të vlefshëm për organizatën ku veprojnë.
Përvoja ka treguar se kjo arrihet, duke u angazhuar po sistematikisht në vetëzhvillim profesional, pa pritur që të tjerët, pronarët apo administratorët, t’i mbështesin. Vetëzhvillimi profesional për çdo auditues të brendshëm përbën një investim personal, që rrit vlerën dhe reputacionin individual në treg të audituesit, si dhe e bën funksionin e auditimit të brendshëm edhe më të vlefshëm e të kërkuar.
Prandaj, maji i auditimit të brendshëm përbën një mundësi të mirë për të edukuar të gjithë palët e interesit dhe publikun për rolin jetik që kanë audituesit e brendshëm në çdo organizatë. Dhe kjo fillon, së pari, nga vetedukimi dhe vetaftësimi i audituesit të brendshëm! /Monitor/