Në mbledhjen e djeshme të Komisionit Parlamentar për Ekonomi është shqyrtuar raporti vjetor i Agjencisë Kosovare të Privatizimit për vitin 2021.
Gjatë raportimit të krerëve të Bordit të AKP-së, u tha se tashmë kjo agjenci ka bërë kategorizimin e gjithsej 1 mijë e 654 pronave që do të barten në Fondin Sovran, i cili pritet të themelohet në muajt në vazhdim. Ky numër i pronave tani për tani, është nën menaxhimin e AKP-së.
Këtë e ka konfirmuar për anëtarët e këtij komisioni, zëvendëskryesuesja e Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), Syzana Dautaj-Surdulli.
Ajo gjatë raportimit theksoi se këto 1 mijë e 600 asete janë vlerësuar nga Bordi si asete potenciale për t’u bartur në këtë fond, përcjell Buletini Ekonomik.
Kurse, për pjesën tjetër të aseteve, ajo tha se ato do të trajtohen sipas ligjit me qëllim të tjetërsimit sa më të shpejtë dhe përmbylljes së tyre brenda kornizave përmbyllëse të strategjisë, e cila është aprovuar në dhjetor 2021.
Me themelimin e Fondit Sovran, sipas Qeverisë, do t’i hapet rruga shuarjes së tërësishme të Agjencisë Kosovare të Privatizimit.
Ndërkohë, zëvendësdrejtori i AKP-së, Avni Jashari, tha se deri më tani nuk është shitur asnjë pronë e Kosovës, që e menaxhon AKP-ja, jashtë vendit.
Jashari shtoi se trajtimi i aseteve jashtë Kosovës ka specifikat e veta për shkak se janë të shpërndara në gjashtë ish-Republikat përbërëse të ish-federatës jugosllave.
Sipas tij, Ligji i AKP-së e parasheh trajtimin e këtyre aseteve në kuadër të kufizimeve të fushëveprimit për administrimin e këtyre aseteve, dhe si rrjedhojë e kësaj, AKP-ja nuk ka shitur asnjë prej këtyre aseteve jashtë Kosovës.
Pas raportimit të anëtarëve të Bordit të AKP-së, me shumicë votash, Komisioni ka votuar Raportin Vjetor 2021 të Agjencisë Kosovare të Privatizimit.
Ndryshe, Qeverisë së Kosovës tashmë i është dorëzuar edhe drafti përfundimtar i koncept-dokumentit për themelimin e Fondit Sovran nga Grupi Punues i caktuar, në krye me Besnik Pula-n, e i cili sipas paralajmërimeve pritet të themelohet së shpejti.
Ky Fond është paralajmëruar se do t’i marrë nën pronësi disa prej aseteve strategjike të vendit, dhe të gjitha investimet në ndërmarrjet e mëdha publike si në Trepçë, KEK, Postë dhe Telekom etj., do të jenë nën përgjegjësinë e këtij fondi.
Ndërkaq, Qeveria është zotuar se Fondi Sovran do të jetë një mekanizëm i ri dhe efektiv për orientimin e investimeve, ngritjen e konkurrueshmërisë dhe cilësisë në vend, rritjen e shkathtësive dhe të punësimit, si dhe mekanizëm për eliminimin e keqpërdorimit dhe korrupsionit në sektorin e ndërmarrjeve publike. /Buletini Ekonomik/