Mehmeti: Rritja ekonomike e Kosovës për vitin 2022 do të jetë 4.4%

Fehmi Mehmeti- Guvernator i Bankës Qendrore të Kosovës

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti, ka thënë se vendimet që institucioni i BQK-së ka ndërmarrë vitet e fundit, kanë ndikuar në stabilitet financiar, por edhe në sektorët e tjerë që janë nën mbikëqyrjen e BQK-së.

“Sot sektorin financiar e kemi shumë stabil, janë marrë vendime shumë të rënda, por janë mirëpritur nga qytetarët e Kosovës, sa i përket vendimeve për heqjen e licencave për institucionet financiare dhe të kompanive të sigurimeve. Edhe rastin që e kemi në arbitrazh do ta fitojmë 100%”, tha Mehmeti në një intervistë për Radio Televizionin e Kosovës (RTK).

Mehmeti ka folur edhe për bashkëpunimin që ka BQK-ja me qeverinë e Kosovës. Sipas tij ky bashkëpunim ka qenë në vazhdimësi dhe nuk ka pasur asnjë problem.

Reklama e sponzorizuar

“Ne kemi bashkëpunim shumë të mirë, edhe tani që ishim në takimet e FMN-së dhe BB-së që u mbajtën në SHBA, këto dy institucione po japin shumë përkrahje për Kosovën”, theksoi ai.

I pari i BQK-së, ka folur edhe për periudhën e pandemisë, e që me masat që janë marrë nga qeveria, thotë se ka pasur rritje ekonomike mbi 10.5% në vitin e kaluar.

Sipas guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, pritjet për rritjen ekonomike të Kosovës për vitin 2022, do të jenë prej 4 deri në 4.4%.

Ai tha se projeksionet kanë ndërruar për shkak të zhvillimeve të agresionit rus ndaj Ukrainës.

“Ndikimi i agresionit rus në Evropë, ndikoi edhe tek ne. Edhe çmimet e energjisë kanë ndikuar në ekonomi dhe reflektuan edhe në Kosovë”, theksoi ai.

Mehmeti ka folur edhe për sektorin financiar dhe të sigurimeve.

Sipas tij, sektori i sigurimeve më në fund është mirë i kapitalizuar dhe ka rritje të pagesës së dëmeve +50%.

“Sektori financiar ka arritur në 8.9 miliardë euro, sektori bankar është likuid dhe mirë i kapitalizuar, kreditë e këqija janë mbi 2 % etj”, tha ai. Mehmeti bëri me dije se do të hapet edhe një bankë vendore.

“Më në fund kompanitë e sigurimeve janë mirë të kapitalizuara si pasojë e reformave që i kemi bërë”, tha Mehmeti. /RTKlive/