Rruga Prishtinë-Mitrovicë, Aliu: Punimet në urën e Babinocit pritet të përfundojnë brenda 63 ditë pune

Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu ka thënë se punimet në urën e Babinocit pritet të përfundojnë brenda 63 ditë pune.

Sipas Aliut, kushtet atmosferike kanë bërë që punimet të vonohen.

“Ura në Babinoc është në gjendje të rëndë, ka pasur një kollapsim dhe shembje të urës. Kemi kontratë për fillimin e punimeve, ku parashihet 63 ditë pune për sanimin e kësaj ure. Kanë qenë kushtet atmosferike që e kanë sjell në fazën kur punimet nuk mund të niseshin, por tash jemi në një fazë kur do fillojnë. Vjeshta besojmë se do të jetë me urë”, tha Aliu në seancën e Kuvendit të Kosovës.

Reklama e sponzorizuar

Qysh në vitin 2009 kishin filluar punimet për ndërtimin e rrugës që lidh Prishtinën, Vushtrrinë dhe Mitrovicën. Mirëpo, edhe tash pas rreth 13 vjetëve punimet janë zvarritur për ndërtimin e kësaj magjistraleje duke mos arritur të finalizohen.