ZRRE për Buletinin: Do ta zbatojmë vendimin e gjykatës për tarifat e energjisë

Zyra e Rregullatorit për Energji në Kosovë

Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka konfirmuar për Buletinin Ekonomik se do ta zbatojnë vendimin e Gjykatës së Apelit për anulimin e vendimit për shtrenjtimin e tarifave të energjisë. Tarifat e reja të energjisë në Kosovë kanë hyrë në fuqi që nga mesi i muaji shkurt të këtij viti.

Tashmë janë bërë tre muaj qëkur është fuqizuar ky vendim nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE), dhe tre muaj të plotë qëkur qytetarët e Kosovës kanë paguar faturat e energjisë elektrike me tarifat e reja, përcjell Buletini Ekonomik.

Në muajin prill, Gjykata Themelore në Prishtinë e kishte pezulluar zbatimin e vendimit për shtrenjtimin e energjisë elektrike. Por, përkundër vendimit të Themelores, faturat me rritje kishin vazhduar të shpërndahen të qytetarët edhe gjatë muajit prill.

Reklama e sponzorizuar

Nga ZRRE thanë se vendimi i Themelores s’është i formës së prerë dhe iu drejtuan Gjykatës së Apelit.

Ndërkohë, dje, Gjykata e Apelit vërtetoi se vendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë për pezullimin e tarifave të shtrenjta të energjisë elektrike të vendosura nga Zyra e Rregullatorit për Energji, ishte i drejtë.

Në aktvendimin e Apelit, thuhet tutje se ankesa e ZRRE-së është refuzuar si e pabazuar.

Ndërsa nga ZRRE kanë thënë se ata tashmë e kanë pranuar Aktvendimin e Gjykatës së Apelit dhe se brenda afateve ligjore, do të ndërmarrin edhe veprime për zbatimin e këtij vendimi.

“Ju njoftojme qe Zyra e Rregullatorit per Energji e ka pranuar Aktvendimin e Gjykates se Apelit dhe brenda afateve te percaktuara ligjore, do te ndermarre veprime per zbatimin e ketij aktvendimi”, thuhet në përgjigjet e ZRRE-së drejtuar Buletinit Ekonomik.

Ndërkohë, rreth mundësisë së kompensimit të qytetarëve për faturat e paguara me tarifat e shtrenjta për tre muaj, nga ZRRE-ja nuk kanë dhënë ndonjë informatë. /Buletini Ekonomik/