Shtrenjtimi i shërbimeve ua ‘trash’ fitimet bankave në Kosovë

Në dy vitet e fundit bankat në Kosovë kanë shënuar rekord sa i përket fitimeve, si asnjëherë më parë që nga paslufta.

Vitin e kaluar fitimi neto shkojë mbi 100 milionë euro, duke e tejkaluar mesataren prej 80 milionë euro, sa ka qenë vit pas viti.

Edhe sivjet trendi duket progresiv. Vetëm për katër muaj, janar-prill, fitimi neto ka arritur në 44.6 milionë euro.

Reklama e sponzorizuar

Nëse analizohet raporti mujor i BQK-së atëherë shihet se kjo rritje e fitimeve në masë të madhe i atribuohet të hyrave nga jo-interesi, përkatësisht të hyrave nga shërbimet.

Prej 111.8 milionë euro sa ishin të hyrat e sektorit në total, 80.7 milionë euro ishin të hyra nga interesat për kredi, ndërsa 31 milionë euro të hyra nga jo-interesi, apo shërbimet. Shpenzimet e sektorit për këtë periudhë në total janë 67.2 milionë euro.

Së fundi, Buletini Ekonomik ka hulumtuar çmimoret e gjashtë bankave më të mëdha që operojnë në Kosovë. Në përditësimin më të ri të çmimoreve të këtyre bankave, shihet se dy banka në Kosovë kanë shtrenjtuar çmimin e shërbimit të tërheqjes së parave nga bankomatët (ATM). /Buletini Ekonomik/