Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere është votuar lista me pesë kandidatët potencialë për një anëtar joekzekutiv në Bordin e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK).
Kuvendit të Kosovës i janë propozuar pesë kandidatë për një anëtar jo-ekzekutiv në Bordin e BQK-së, nga paneli i formuar për përzgjedhjen e këtij anëtari joekzekutiv.
Emrat e propozuar për këtë pozitë janë: Arta Hoxha, Esida Bujupi, Lulzim Ismajli, Nexhat Kryeziu dhe Nora Rraci, përcjell Buletini Ekonomik.
Kjo listë prej pesë kandidatëve, sipas deputetit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hotit, është arbitrare, pasi tha se për një pozitë punë nuk duhet të sillen 5 propozime, por vetëm tri.
“Është shumë arbitrare që për një pozitë të sillen 5 propozime. Nuk është dashtë paneli me na sjellë në këtë pozitë. Për një vend sillen tri propozime por 5 s’ka arsyetim logjik. Është komplet arbitrare. Unë e kisha kthy prapa këtë propozim dhe kisha kërkuar t’i sjellin vetëm tri propozime. Unë jam kundër që kjo listë t’i servohet BQK-së”, tha Hoti.
Ndërkohë, Armend Muja, kryetar i Komisonit për Buxhet, sqaroi se Komisioni nuk ka të drejtë të ndërhyjë në specifika për përzgjedhjen e një anëtari të BQK-së.
“Pas diskutimeve bazuar në ligjin për BQK rreth 5 kandidatëve, ne nuk kemi të drejtë të ndërhyjmë në specifika por deputeti mund ta votojë një ose ta rrëzojë listën në tërësi. Votimi bëhet me votim të fshehtë dhe i dërgohet presidentes. Ky propozim kalon me 6 vota për”, u shpreh Muja. /Buletini Ekonomik/