Në Komisionin për Buxhet sot është diskutuar lidhur me mbylljen e Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) dhe është shqyrtuar raporti vjetor për vitin 2021 i kësaj agjencie.
Sipas zyrtarëve nga kjo Agjenci, për mbylljen e këtij institucioni tashmë vendos Kuvendi i Kosovës, përcjell Buletini Ekonomik.
Nazmi Mikullovci, kryesues i Bordit të AKP-së, sa i përket rifillimit të procesit të valëve të reja të shitjes së aseteve, ka thënë se vet Qeveria përmes një vendimi ka pezulluar bllokimin e privatizimit të pronave shoqërore.
“Ne kemi marrë një shkresë prej qeverisë dhe ka pranuar që një kategori e aseteve duhet gjithsesi me u shit. Pra, është vendim prej qeverisë. Është pezulluar vendimi i mëhershëm i qeverisë për ndaljen e shitjeve”, theksoi ai.
Mikullovci u shpreh se mbetet sfidë për AKP-në, mbetet ende mos shqyrtimi edhe i 26 mijë lëndëve nga Dhoma e Veçantë e Gjykatës Supreme, që kanë të bëjnë kryesisht për 20 përqindëshin e punëtorëve.
“E kemi bërë një strategji dhe e kemi diskutuar në Komisionin për Ekonomi, se kur të vijë koha, do të vendosë Kuvendi i Kosovës për mënyrën e mbylljes dhe për mënyrën e vazhdimit të një strukture shumë më të vogël për vendimet e gjykatave, sepse në Dhomën e Veçantë të Gjykatës Supreme, momentalisht janë 26 mijë lëndë ende janë pa u shqyrtuar”, ka thënë ai.
Sipas tij, AKP-ja ka planifikuar që deri në fund të vitit 2024 t’i përfundojë të gjitha çështjet operative dhe pastaj do të mbetet vetëm një organizëm i vogël, siç thotë ai, i cili do të merrët vetëm me ekzekutimin e këtyre vendimeve të gjykatës që janë kryesisht për 20 përqindëshin e punëtorëve dhe për pretenduesit si kreditor.
Në fund, Komisioni me shumicë votash miratoi raportin e AKP-së për vitin 2021. /Buletini Ekonomik/