AKP shpallë valën e re të shitjes së aseteve përmes likuidimit

Agjencia Kosovare e Privatizimit-AKP

Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) sot zyrtarisht ka shpallur valën e re të shitjes së aseteve përmes likuidimit nr.56.

Sipas njoftimit nga ky institucion, lista e tenderëve për privatizim me këtë valë të shitjeve përmban 19 asete/njësi atraktive të ndërmarrjeve shoqërore në Kosovë, të cilat paraqesin një mundësi të shkëlqyer për zgjerim të biznesit apo iniciativa të reja biznesore në vend.

Paraprakisht, kjo valë e shitjeve me të gjitha asetet e tenderuara, është aprovuar fillimisht në Bordin e Drejtorëve, kurse AKP-ja njofton se i ka njoftuar paraprakisht edhe të gjitha komunat përkatëse se këto asete të ndërmarrjeve shoqërore do të privatizohen dhe ka shpallur njoftimin për tender në faqen e saj të internetit www.pak-ks.org dhe në mediat e shkruara dhe ato elektronike.

Reklama e sponzorizuar

Nga ATK bëjnë të ditur se ofertat e mbyllura për njësitë/asetet që janë në shitje përmes shitjes së aseteve me likuidim nr.56, duhet të dorëzohen në “Sallën e konferencave – Hoteli Grand”, në Prishtinë me datën 13 korrik 2022, nga ora 10:00 deri në orën 12:00, të shoqëruara edhe nga depozita e ofertës dhe tarifa për paraqitjen e ofertës, ashtu siç është parashikuar për secilin artikull.

Kurse hapja e ofertave do të bëhet po të njëjtën ditë, duke filluar nga ora 12:30. /Buletini Ekonomik/