Arben Limani zgjidhet Drejtor menaxhues në AKP

Agjencia Kosovare e Privatizimit -(AKP)

Bordi i Drejtorëve në Agjencinë Kosovare të Privatizimit (AKP) ka përzgjedhur dje drejtorin menaxhues të këtij institucioni.

Tashmë drejtori i ri menaxhues në këtë Agjenci, është Arben Limani, i cili me profesion është jurist, përcjell Buletini Ekonomik.

Reklama e sponzorizuar

Sipas njoftimit zyrtar nga AKP, Limani ka një përvojë pune 20 vjeçare profesionale në sektorin privat dhe publik, me specializim në zhvillimin dhe zbatimin e politikave publike, të mbështetur me edukim të lartë në shkencat juridike brenda dhe jashtë vendit.

Në Agjencinë Kosovare të Privatizimit (AKP), Limani kishte qenë i angazhuar që nga viti 2009 deri më tani, ku kishte mbajtur pozitën e Drejtorit të Sekretarisë Ekzekutive të Bordit të Drejtorëve nga viti 2011 e tutje.

“Studimet themelore i ka kryer në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës. Studimet Master i ka te kryera në Chicago-Kent College Of Law, Illinois Institute of Technology, në Chicago të Illinois (SHBA), në lëmin e Drejta e Shërbimeve Financiare si bursist i Fondacionit Kosovaro Amerikan për Edukim të Lartë (KAEF). Flet rrjedhshëm gjuhën angleze dhe gjuhën serbe”, thuhet në njoftimin e AKP-së.

Përveç kësaj, në mbledhjen e djeshme të Bordit të AKP-s, është shqyrtuar dhe miratuar edhe buxheti vjetor i Agjencisë për vitin fiskal 2023.

Bordi gjithashtu shqyrtoi edhe raportin e Zyrës Kombëtare te Auditimit për pasqyrat financiare vjetore të Agjencisë për vitin 2021 ku Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka dhënë opinion të pamodifikuar për pasqyrat financiare vjetore të AKP-së për vitin fiskal 2021.

Në bazë të komunikatës për media, Bordi i AKP-së me këtë rast, ka kërkuar plan konkret për adresimin e rekomandimeve të ZKA-së. /Buletini Ekonomik/