Depozitat e qytetarëve nëpër banka i afrohen 5 miliardëshit

Kursimet e familjeve kosovare nëpër bankat komerciale në vend, po shkojnë duke u rritur muaj pas muaji.

Aktualisht, depozitat e qytetarëve në sektorin bankar në Kosovë deri në fund të muajit prill, kanë arritur në gjithsej 4 miliardë e 776 milionë euro, përcjell Buletini Ekonomik.

Nga e gjithë kjo vlerë kursimesh, 3 miliardë e 384 milionë janë depozita vetëm të ekonomive famljare, kurse 861.6 milionë depozita të korporatve jo financiare, dhe 209.9 të korporatave të tjera financiare.

Reklama e sponzorizuar

Sipas raportit më të fundit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), rreth “Informatave Mujore të Sistemit Financiar” për muajin prill 2022, depozitat e qytetarëve në valutat e tjera përveç euros, janë në vlerë të 202.8 milionë eurove.

Ndryshimi vjetor në depozita përgjatë kësaj periudhe ishte pasqyruar në një përqindje prej 8.6%, prej të cilave për ekonomitë familjare ishte 11.0%, kurse për korporatat jofinanciare 11.7%, për të vazhduar me ndryshimin tek depozitat e korporatave të tjera financiare me -13.7%.

Norma e interesit në depozita në fund të muajit prill ishte 1.7%, ku për ato familjare ishte 1.6%, ndërsa për korporatat jo financiare 1.7%.

Ndërkohë, dallimi i normës kredi-depozita ishte në një vlerë prej 4.2pp, gjatë kësaj kohe.

Aktualisht, sipas BQK-së, vlera e aseteve të sektorit bankar në vend, është gjithsej 5 miliardë e mbi 890 milionë euro. /Buletini Ekonomik/