Drejtori i ATK-së tregon sa do të paguajnë tatim ata që përfitojnë nga rrjetet sociale

Drejtori i Administratës Tatimore të Kosovës, Ilir Murtezaj, ka folur rreth tatimeve për qytetarët që përfitojnë nga rrjetet sociale si Tiktok, Instagram, Youtube, Facebook etj.

Murtezaj ka thënë se ligji për t’u tatuar fitimet nga rrjetet sociale ka ekzistuar kaherë, pasi që të njëjtat trajtohen njëjtë si bizneset tjera, por se tani janë bërë programet softuerike që ua mundësojnë të detektojnë përfituesit.

Ai ka folur edhe për shumën e tatimit që do të paguajnë përfituesit nga rrjetet sociale.

Reklama e sponzorizuar

“Te bizneset e vogla ose te individët që do të realizojnë të ardhura brenda tre muajve deri në 1250 euro, është një normë 37.5 euro, që duhet për të paguar tatim si dhe kontributin pensional. Mbi atë shumë, duhet të paguajnë pjesën e 9 përqindëshit në pjesën e të hyrës së saj. Por, nëse kanë qarkullim mbi 30 mijë euro brenda një viti, janë të detyruar të paguajnë edhe TVSH, gjë që norma e TVSH-së është 18%”, ka thënë Murtezaj.

ATK-ja gjithashtu do të mbledh tatimin edhe nga veprimtaritë ndërtimore, siç është ndërtimi i lartë dhe i ulët, grupet punuese dhe personat fizikë në kuadër të veprimtarisë së ndërtimtarisë si: muratorët, armaturë punuesit, betonimet, gërmimet e dheut, punuesit e kulmeve, prodhimi dhe montimi i dyerve dhe dritareve, elektricistët, instaluesit e ujit dhe ngrohjes qendrore, montuesit e parketit/laminatit, montuesit e qeramikës, suvatuesit – fasada, prodhimi dhe montimi i ulluqeve, rrethojave të ballkoneve, shkallëve dhe rrethojave të oborreve nga metalet e ndryshme dhe druri, etj.